Nga Vjena, aty ku mori pjesë samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor mes drejtuesve të Socialistëve dhe Demokratëve të BE, kreu i grupit socialist Taulant Balla, kërkoi Parlamentit Evropian që pjesë e tij të bëhet një përfaqësi nga Ballkani perëndimor.
“Putin nuk ka sulmuar vetme Ukrainën, ai ka sulmuar demokracinë tonë. Le të flasim me zë të lartë, Rusia ka qenë e përfshirë në financim të partive politike Parlamenti Evropian duhet të jetë i pari që duhet të hedhw një hap më tej, që përfaqësueses nga të 6 parlamentet e Ballkanit të kenë vend në parlamentin Evropian që zëri i tyre të dëgjohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Të hartohet program I ripërtëritjes siç tha Rama”, ka thënë Balla.
Duke u ndalur te “Open Balkan”, Balla tha se domosdoshmëria për këtë nismë, lindi pasi Procesi i Berlinit nuk po funksiononte sipas pritshmërive.
“Open Balkan është zbatimi në terren i procesit të Berlinit, asgjë më tepër, Procesi I Berlinit është një ide e mirë që nuk po zbatohej mirë, ndaj ‘Open Balkan është një praktikë e mirë që duhet të jetë gjithëpërfshirës që të jenë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”, vijoi ai.
Gjatë samitit kryeministri i Kosovës Albin Kurti vuri në dukje se Ballkani ka nevojë për një proces të përshpejtuar anëtarësimi.
“Futja në BE e këtij rajoni do të sjellë përfitime nga BE dhe e do të ulë influencën ruse në Ballkan. Tani ka influencë malinje nga Federata Ruse në Ballkanin Perëndimor, futja në BE do të sjellë më shumë demokraci, dhe më pak influencë ruse në këtë drejtim “Duhet të jemi bllok kundër këtij fashizmit rus”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin edhe kryeministri Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Bosnjë Hercegovinës Nermin Nikshiç, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, si dhe përfaqësues të parlamentit Serb.