“Libri ‘Nefes’ i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj është një nga kontributet shkrimore më të rëndësishme të bektashizmit në shoqërinë e sotme bashkëkohore. Baba Mondi është një lloj pelegrinazhi i shenjtë e profeci, ku sakrifica e vuajtja janë dritë…”
Kështu shkruan mes të tjerash në parathënien e librit autobiografik të Baba Mondit, studiuesi Bardhosh Gaçe. Libri është promovuar këtë të mërkurë në Qendrën Bektashiane Botërore në Tiranë, duke festuar në të njëjtën ditë edhe 66-vjetorin e lindjes së Baba Mondit.
“Ky rrëfim nuk është thjesht një autobiografi, por një udhëtim shpirtëror i rrallë, që nis nga një derë bujare në Brataj të Vlorës dhe përfundon në lartësinë e shenjtë të Kryegjyshtës së Bektashinjve në Tiranë. Fjala nefes megjithëse e shkurtër në shqiptim është e pasur në thellësi e kuptim. E huazuar nga arabishtja që do të thotë frymë, përçon më shumë se funksion biologjik. Në traditën bektashiane, nefesi është një lutje, është një meditim. Është një poezi shpirtërore, që nuk këndohet me zë, por me shpirt.”, - shprehet prof. dr. Ethem Ruka.
“Jam lindur dhe jam rritur nga dy prindër besimtarë të përkushtuar ndaj bektashizmit. Kam dashur që në fëmijërinë time që çdo vepër imja të ketë vlerë dhe çdo vlerë të burojë nga rrënjët e bektashizmit. Ndikimi i Dede Reshat Bardhit dhe Dede Ahmetit kanë qenë një ogur uratë, që të mësoj prej tyre dhe në të ardhmen të ndjek gjurmët e tyre.”, - thotë kryegjyshi bektashian, Baba Mondi.
Sipas profesor Ethem Rukës, Baba Mondi përmes këtij libri dëshmon se të rrëfesh jetën nuk është vetëm akt kujtese, por mision për të lidhur të shkuarën me të tashmen dhe për t’i dhënë qëndrueshmëri në kohë.
Baba Mondi, mes këtij libri na kthen te fëmijëria e tij, te fshati, prindërit, kujtimet dhe na bën të kuptojmë se sado larg të ecim, kemi gjithmonë nevojë të rikthehemi te rrënjët dhe ritakohemi me vetveten.
Komente
