5 muaj kaos, kthehet normaliteti në Kuvend! Rithemelimi në komisione, bojkoton grupi Basha! Sula: Negociatat në Tiranë, tymi plasi në Sazan

18 Mars, 11:25| Përditesimi: 18 Mars, 16:31

  • Share

TIRANË- Pesë muaj pasi herë me përplasje fizike e herë me bilbila e tymuese nuk lejuan zhvillimin normal të jetës parlamentare, deputetët e opozitës hoqën dorë nga kaosi.

Pasi morën sigurinë për kërkesat e tyre për 2 komisione hetimore dhe për t’u përfshirë në diskutimin për reformat, deputetët e Rithemelimit më në krye Gazment Bardhin u ulën në karriget e komisioneve parlamentare, për herë të parë këtë të hënë që prej mesit të tetorit të vitit të shkuar.

Me kthimin e tyre, Komisionet u zhvendosën sërish fizikisht në kryesinë e Kuvendit, pasi për shkak të përplasjeve prej muajsh mbaheshin online.

Por rikthimin në karriget e ligjvënësit, e patën me jo pak rezerva. Shumë prej deputetëve të Rithemelimit shprehën pakënaqësi për atë që morën në këmbim të normalitetit, e jo pak prej tyre edhe kërcënuan se nëse të drejtat do i shkelen sërish, kaosi do rikthehet.

Dash Sula akuza hodhi edhe për projektin e fundit që është publikuar në media, për ambiciet e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar resorte luksoze në Sazan.

"Keni kaluar ligje gjatë 5 muajve pa diskutuar, përfshirë edhe buxhetin e shtetit. Shkaku ishit ju për shkak të sjellës së dhunshme që me forcën e kartonit ndërpretë të drejtat e opozitës. Kjo ishte loja, marrëveshja u bë në Tiranë, tymi plasi në Sazan", tha Sula. 

"Ju ftoj të keni përgjegjësinë maksimale, përndryshe ne i rikthehemi mungesës së normalitetit", tha Albana Vokshi.  

Vetë Bardhi zgjodhi të qëndronte larg komentit për rikthimin në normalitet, por akuzoi se rishikimi i Buxhetit, që u votua pa opozitën, është anti-kushtetues.

"Bie ndesh me kushtetutën dhe është qartësisht marrje e kompetencave nga ana e Këshillit të Minitsrave të kompetencave të Kuvendit”, tha Bardhi. 

 Rikthimi i Rithemelimit me socialistët irritoi pjesën tjetër të opozitës: Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, që qëndrimin për marrëveshjen e ka patur të qartë: Se është Pazar Rama-Berisha.

Enkelejd Alibeaj bojkotoi komisionin e ligjeve, ndërsa shpjegimin e dha në një deklaratë për mediat, duke thënë se kjo ishte një marrëveshje hipokrite për të dështuar reformën zgjedhore.

"PS e dështoi Reformën Zgjedhore dhe kjo ka një bilanc të hidhur edhe për publikun. Çfarë iu mohua publikut, iu mohua ndryshimi i pazarit famëkeq të 2008-ës, Rama-Berisha", tha Alibeaj. 

 PD e Lulzim Bashës, nga katër komisione në rendin e ditës, mori pjesë në vetëm atë të Shëndetësisë me deputetin Selaudin Jakupllari.

Ora 14:26
'Je dele, more vesh apo jo', deputeti i Rithemelimit përplas dorën në tavolinë dhe ngre tonet te 'Ligjet', Gogu: Mos më dhuno

Në komisionin e ligjeve kishte tensione mes palëve politike pavarësisht rikthimit në normalitet të jetës parlamentare. Deputeti socialist Toni Gogu ka përmendur aksionin opozitar, gjë që ka acaruar një pjesë të deputetëve.

Deputeti i Rithemelimi, Asllan Dogjani, ishte ai që përplasi dorën në tavolinë dhe e cilësoi Gogun ‘dele’ të Edi Ramës dhe i kërkoi të mos merrej me punët e brendshme të opozitës.

Deputeti socialist tha se nuk po fyen njeri, ndërsa shtoi se po flet në hapësirën e tij të rregullores për të diskutuar.

Pjesë nga debati:

Tonin Gogu: Ju vini nga një aksion i mahnitshëm opozitar, për të cilin falënderoj vetëm Bardhin, i cili shkoi, ju gjeti, ju mori, ju solli dhe bëri shumë mirë që ne të debatojmë.

Asllan Dogjani: Je dele e Edi Ramës ti, more vesh apo jo.

Gogu: Zoti Dogjani, s’të përmenda. Mund të më thuash cila ishte fyerja ime? Të lutem! Fyerjet po i zë ti në gojë. Kujdes! Me shumë kujdes!

Dogjani: Ore vazhdo me procedurën, s’ke punë me ne

Gogu: Të lutem mos më dhuno, jam në hapësirën time rregullative për të diskutuar. Pse kërceni?! Ne ju dëgjojmë. Shumë që keni ardhur, të debatojmë.

Ora 13:57
Bojkotuan mbledhjet e Komisioneve, Alibeaj: PS dështoi Reformën Zgjedhore, rinovohet marrëveshja e 2008 me Berishën

Partia Demokratike ka reaguar pas bojkotit të mbledhjeve të Komisioneve Parlamentare, ku pas negociatave PS-Rithemelimi u kthye normaliteti në Kuvend. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj tha në një deklaratë për mediat, se ky është një pazar Rama-Berisha me qëllim që të ruajnë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Numri 2 i PD thotë se socialistët dështuan Reformën Zgjedhore.

Deklarata e Alibeajt

Tashmë që beteja e rreme në Parlament mori fund dhe që normaliteti u rikthye për të cilin marrë shkas dhe ta përshëndes, sepse një parlament normal është në dobi të qytetarëve, çdokush me të drejtë kërkon të dijë se çfarë u fitua në këto 5 muaj beteje të reme. Cili është bilanci? E së pari bilanci duhet bërë duke iu drejtuar jetës parlamentare. Tashmë nga kjo marrëveshje ende okulte, ajo se çfarë di publiku është fakti që janë marrë një apo dy komisione hetimore, interesi publik i të cilëve duket që nuk është ai që publiku kërkon. Pra nuk drejtohen drejtpërdrejtë kundër Edi Ramës.

Së dyti, komisione hetimore të cilat vazhdojnë me një ligj të bërë nga Edi Rama, me rregulla të përcaktuar nga Edi Rama.

Së trti, e sakrifikuara e madhe është reforma zgjedhore. Siç edhe në media është thënë, ndoshta dhe me krenari nga përfaqësuesit e mazhorancës, arritja e parë e hidhur më e madhe e kësaj marrëveshje hipokrite, e kësaj beteje të rreme është pikërisht, sakrifikimi i reformës zgjedhore. E në fakt për opozitën ka një kosto të madhe. Fakti është që opozita ka humbur atë që ka qenë garancia më e madhe e saj, e drejta e vetos për t’i vendos një kufizim mazhorancës që mos të kalojë ligje të rëndësishme, e sidomos reformën zgjedhore në mënyrë të njëanshme duke peshkuar vota apo elektrone të lirë nga opozitare tashmë që interesat individuale, pragmatiste të deputetëve janë më të shfaqura se kurrë.

Partia socialiste e dështoi reformën zgjedhore dhe kjo ka një bilanc të hidhur edhe për publikun. Optika tjetër me të cilën do të duhet parë frytet e hidhura të këaj marrëveshje okulte janë: çfarë iu mohua publikut?

Së pari, iu mohua ndryshimi i pazarit famëkeq të 2008-ës Rama-Berisha. Partia socialiste arriti të ruajë edhe me ndihmën e të tjerëve, të konservojë edhe një herë sistemin zgjedhor famëkeq që e ndan Shqipërinë në domen kryetar partish si në 2008-ën. Së dyti, sot që flasim, e sakrifikuara e madhe është vota e diasporës. I sakrifikuar është në fakt vendimi i gjykatës Kushtetuese që prej kohësh në fakt kërkonte që vota e diasporës të bëhej efektive. Sot që jemi një vit para ditës së zgjedhjeve, do të duhej të kishte filluar në fakt puna sipas asaj që ne ofruam në komisionin e reformës zgjedhore, ndërtimi i logjistikës dhe i mekanizmit të votës efektive të diasporës. Votë diaspore me Postë, votë diaspore me postën e Edi Ramës e cila është nën tutelën e patronazhistëve të Edi Ramës, është ndoshta mashtrimi më i hidhur që bëhet shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

Së dyti, sakrifikimi më i madh është mohimi i kthimit të shqipërisë në një zonë zgjedhore. Nuk është gjë tjetër vecse të asgjësosh brazinë e votës së shqiptarëve në Kukës, gjirokastër apo në Vlorë, duke i konsideruar shqiptarët ca të dorës së parë e ca të dorës së dytë. Por më e rëndësishme është fakti që duke ruajtur këtë sistem, duke e ndarë Shqipërinë në këto 12 çifligje elektorale , i fituari i madh është Edi Rama, i cili vetëm prej këtij sistemi garanton në tavolinë më së paku 6 mandate.

Nuk mjaftojnë patronazhistët, nuk mjafton administrata, nuk mjafton buxheti i shtetit, por i duhet dhënë e duhet ndihmuar Edi Rama që të hyjë në procesin zgjedhor edhe me 6 mandate në tavolinë. E pra, ky është primi në fakt që kërkonte ta ruante përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri, Edi Rama. Oferta jonë për ta bërë Shqipërinë një zonë zgjedhore jo vetëm që garantonte barazinë e votës, por i hiqte mundësinë Edi Ramës që të mos kishte në tavolinë primin 6 mandate në tavolinë.

Së treti, mohimi i listave të hapura. Mesa duket ky është thelbi i refuzimit nga ana e mazhorancës, por edhe deputetëve të tjerë të cilët kontribuan për ta dështuar reformën zgjedhore. Të mohosh listat e hapura, do të thotë të kesh frik nga qytetarët. Por ç’kuptim ka një pralament, ç’kuptim ka lufta politike në parlament që mund të bëjnë deputetë për sa kohë që kanë frikë të përballen dhe të japin llogari me shqiptarët? Ç’kuptim ka të mbash qëndrime parimore e të godasësh ligje apo të bësh dhe komisione hetimore po të doni ju, nëse nuk i bën ato në interes të qytetarëve, të cilët për shkak të kësaj lufte parimore do të duhet të të shpërblejnë? Dhe të të shpërblejnë me sistemin e listave të hapura, ku deputet zgjidhet ai që merr një votë më tepër. Dhe një votë më tepër nga publiku e merr ai deputet, ai grupim politik i cili ka bërë një luftë të ndershme dhe të sinqertë në interes të shqiptarëve. Për sa kohë që është bërë gjithçka për të mbrojtur listat e mbyllura të pazarit Rama-Berisha, Berisha-Rama të 2008-ës, po rinovohet edhe tani, do të thotë që është hipokrite gjithçka. Një Parlament i cili ka frikë nga vota e qytetarëve.

E s’mjafton kjo, por mesa duket do të jetë dhe një sakrificë tjetër, do të ketë dhe një therror tjetër, që është ligji i dekriminalizimit. Me propozimet e sjella nga ana e partisë socialiste, të cilat nuk kishin asnjë shans të kalonin në komisionin e reformës zgjedhore për shkak të votës që opozita kishte, tashmë ka mundësinë që duke peshkuar andej këndej deputetë, të mund të bëjnë edhe ndryshime në ligjin e dekriminalizimit, pra të rifus edhe njëherë të gjithë individët që dikur janë anatemuar dhe jën larguar nga politika, janë larguar nga parlamenti, janë larguar nga pushteti vendor për shkak të rekordeve kriminale. E ky është një shkallmim e një arritjeje ndoshta më të mëdha që opozita e këtyre viteve ka pasur.

Ndaj, për këto arsye qëndrimi i Partisë Demokratike sot ishte i tillë: të shihte e të vëzhgonte me hidhërim frytet e asaj marrëveshjeje qoftë në komisionin e ligjeve sot, apo në komisionet e tjera të cilët të vetmen gjë nuk prekën këtë lloj marrëveshjeje. Ishte e udhës sot që të paktën në komisionin e ligjeve të kërkohej: cila është kjo platformë? Cili është ky mekanizëm? Cila është kjo kompetencë që opozita ka për të garantuar së pari listat e hapura nëse po, për të garantuar Shqipërinë një zonë, për t’ia hequr primin Ramës 6 mandate që merr në tavolinë. Cili është mekanizmi që garanton sot për ta bërë efektive pas një viti votën e diasporës, cili është mekanizmi për ta ruajtuar të paprekur ligjin e dekriminalizimit?

Asgjë nuk ndodhi. Ndaj është detyra e Partisë Demokratike që jo vetëm të qëndrojë fortë në të gjitha këto çështje që janë në interes të publikut për t’i çuar deri në fund. Për të bërë thirrje të gjitha flukseve, partive politike, grupimeve të cilat duan një demokraci funksionale, e cila është në duar të qytetarëve ta çojë deri në fund këtë luftë. Dhe këtë do të bëjmë gjatë gjithë kësaj kohë. Faleminderit!

Ora 12:18
Kuvendi i rikthehet normalitetit! Tabaku mbledh ‘Integrimin’, bojkoton grupi i Bashës

 

Kuvendi i është rikthyer normalitetit. Pas Komisionit të Ligjeve është mbledhur edhe Komisioni I Integrimit, nën drejtimin e deputetes së opozitës, Jorida Tabakut.

Në mbledhje janë të pranishëm deputetët e Rithemelimit, ndërsa ata të grupit Lulzim Basha mungojnë, njëjtë si në Komisionin e Ligjeve.

Në Komisionin e Integrimit, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin po prezanton projektligjin "Për sigurinë kibernetike".

 

Ora 11:34
Dash Sula: Marrëveshja PS-Rithemelimi u bë në Tiranë, tymi plasi në Sazan! Normalitet i rremë

 

Deputeti demokrat Dash Sula thotë se negociatat mes Rithemelimit dhe PS janë fake dhe një normalitet i rremë. Në Komisionin e Ligjeve, ai tha se marrëveshja u bë në Tiranë dhe tymi plasi në sazan, referuar këtu projektit të dhëndrit të donald Trump për zhvillzimin e disa sezoneve turistike në Sazan.

Sula tha se kjo është një marrëveshje fake, pasi mazhornaca ka ndryshuar edhe ligjin për komisionet hetimore, që sipas tij tashmë s’ka asnjë vlerë ngritja e tyre.

"Pas 5 muajsh për të folur për procedurë është normale. Ndihem më shumë se sa i lumtur. Të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë përgjatë këtyre 5 muajve, dhe në datën 18 mars të vijmë këtu dhe të fshijmë historinë e këtyre 5 muajve, ndërkohë që kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, me cenimin e demokracisë. Do mundohem që për të gjithë zotërinjtë e komisionit tua bëj të qartë të gjithëve që ky kthim në normalitet është diçka që duhej të kishte ndodhur që me 5 tetor të 2023, kur mazhoranca e bëri me dhunë, ngjarja dihet se si ka shkuar. Kjo marrëveshje është një fake i pastër, sepse çfarë marrëveshje kemi arritur PS me PD, atë çfarë i takon opozitës sipas Kushtetutës dhe rregullores. Ca kërkoi opozita në 5 muaj, asgjë tjetër përveçse komisionet hetimore dhe reformën zgjedhore. Ca bëri mazhoranca, ndryshoi ligjin për komisionet hetimore që s’ka asnjë lloj vlerë për tu ngritur komisionet hetimore.

Pra unë nuk mund të rri dhe të jem hipokrit që këtu është një normalitet i rremë. Ndryshuat rregulloren e kuvendit për deputetë që bënin protestë. Nëse nesër do ketë një protestë qoftë edhe civile ju i ndërprisni mandatin deputeti 60 ditë, që nuk e bën as Kodi Penal as organet e drejtësisë, por  bëni ju si Byro e parlamentit.

Keni kaluar ligje gjatë 5 muajve pa diskutuar, përfshirë edhe buxhetin e shtetit. Shkaku ishit ju për shkak të sjellës së dhunshme që me forcën e kartonit ndërpretë të drejtat e opozitës. Kjo ishte loja, marrëveshja u bë në Tiranë, tymi plasi në Sazan", tha Sula. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?