TIRANË- Shqipëria është tashmë edhe një hap tjetër pranë Bashkimit Europian. Këtë vjeshtë, vendi ynë do të hapë negociatat edhe për dy grupkapitujt e fundit, për të cilët tashmë janë caktuar edhe datat se kur do të mbahet konferenca ndërqeveritare.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se më datë 16 shtator, Shqipëria do të ulet në konferencën e radhës ndërqeveritare për të çelur grupkapitullin e “Axhendës së Gjelbër” datë e cila është konfirmuar zyrtarisht.
Ndërsa konferenca e radhës për çeljen e grupkapitullit të fundit, “Bujqësia dhe Kohezioni”, pritet të mbahet në 2 tetor, kjo është data e projektuar dhe miratuar në parim. Me hapjen e tyre Shqipëria nis bisedimet për të 33 kapitujt.
Shqipëria ka çelur deri më tani 4 nga 6 grupkapituj, të ashtuquajturin Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm si dhe Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse.
Më 19 korrik të 2022-shit Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në duke çelur zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024-ës, nën drejtimin e presidencës hungareze, në Luksemburg do të mbahej konferenca e dytë ndërqeveritare ku Shqipëria çeli negociatat për grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishëm, të ashtuquajturin “Themeloret”.
2 muaj më pas në 17 dhjetor të 2024-ës, sërish nën drejtimin e presidencën hungareze nisën bisedimet për grupkapitullin e dytë, atë të marrëdhënieve me jashtë. Ndërsa në pril dhe maj të 2025-s, Shqipëria çeli dy grupkapijtujt e radhës, atë të “Tregut të brendshëm” dhe “Konkurrueshmëria e rritja gjithëpërfshirëse”.
Bashkimi Evropian është optimist se brenda 2030-0s Shqipëria do të realizojë integrimin në union, ndërsa kryeministri Edi Rama e ka shpallur anëtarësimin në BE prioritet të mandatit të katërt qeverisës.
Komente
