Anëtari i Kryesisë së PD-së, Azgan Haklaj ka folur për negociatat e PS me Rithemelimin për t’i dhënë fund kaosit të krijuar prej muajsh në Kuvend. I ftuar në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, Haklaj tha se PS dhe Rithemelimi po bëjnë 'pazare' me qëllim rrëzimin e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe të propozimeve të PD.
“E gjithë beteja është për të rrëzuar komisionin e reformës zgjedhore dhe doktrinën e PD të përfaqësuar nga Basha që ka 4 pika kryesore. Këta ende nuk kanë deklaruar për çfarë ligji zgjedhor janë. Qëllimi i tyre është vula për t’i bërë presion gjykatës së Apelit që është e detyruar të japë një vendim pas kthimit nga gjykata e Lartë”- u shpreh Haklaj.
Më tej ai foli edhe për bashkimin e grupit të Gazment Bardhin me Rithemelimin duke e quajtur si një bashkim mekanik që nuk sjell vota. Ndërsa emërimin e Bardhit si nënkryetar të Rithemelimit, Haklaj e cilësoi si veprim që bie ndesh me statutin e Kuvendit të Berishës me 11 dhjetor 2021.
“Bardhi ka qenë sekretar i përgjithshëm i PD, Ka mbledhur një numër firmash dhe ka thënë e kam shumicën e grupit parlamentar. Por me veprimin që ka bërë është ndesh me statutin, sekretari i përgjithshëm nuk mund të jetë kryetar grupi por garant i statutit. Pra ka bërë “puç statutor”. Çfarë është Bardhi? Kuvendi i 11 dhjetorit i Rithemelimit e ka shkarkuar Bardhin. Berisha nuk i ka dërguar formularët tek Bardhi, i ka shkaktuar të gjithë por jo Palokën i cili ishte zgjedhur me të njëjtin mekanizëm. Tani Berisha e ka emëruar Bardhin nënkryetar. Me cilin vendim?”- tha Haklaj.
Nga ana tjetër, gazetari Gëzim Saliu tha se pavarësisht se mbështeste propozimet e PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Basha nuk ka shumicën e grupit parlamentar për të përfaqësuar opozitën në komision.
“Te Reforma Zgjedhore biem dakord se në 2 vitet e fundit ka qenë inekzistente. Ju keni pasur kërkesat tuaja. Unë personalisht pikat tuaja i mbështes. Te ky komisioni nuk keni asnjë shumicë në grupin parlamentar që ta përfaqësoni në komisionin e Reformës Zgjedhore”- nënvizoi Saliu.
Mes të tjerash, Haklaj bëri akuza të forta ndaj Berishës e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli për të cilët tha se janë të lidhur me Rusinë duke shtuar se kjo ishte një ndër arsyet përse kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar hapjen e dosjeve të agjentëve të KGB-ruse dhe UDB-së jugosllave.
Anëtari i kryesisë së PD, Azgan Haklaj ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli.
I ftuar në ‘Studio Live’ në Report Tv, Haklaj tha se Berisha dhe Topalli janë të lidhur me rusët, duke deklaruar se ish-kryeparlamentarja është dekoruar në 2013-ën në parlamentin rus.
“Në 2013-ën Berisha la pushtetin. Në 2010-ën Rusia kishte nisur konfliktin me Ukrainën. Rusia bëri marrëveshje me Bullgarinë për të kaluar Gazpromin nga Bullgaria, Greqia për të dalë në Itali. Këshilli i Europës nuk e pranoi. Topalli kryeparlamentarja me porosi të Berishës shkoi në Dumën ruse dhe në Shën Petërburg u dekorua me medalje nderi”- tha Haklaj.
Të ftuarit në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, anëtari i kryesisë së PD-së Azgan Haklaj dhe gazetari Gëzim Saliu patën një debat me njëri-tjetrin.
Saliu tha se PD nuk ka mbështetjen nga asnjë nga partitë e reja opozitare dhe se në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës mund të dalë forcë e tretë apo e katërt. Kjo solli reagimin e Haklajt i cili e akuzoi gazetarin si skllav të Partisë së Lirisë.
Pjesë nga debati në studio:
Gazetari, Gëzim Saliu: Në zgjedhjet e 2025-ës PD e vulës jo vetëm që do dalë e 3 apo e katërta
Azgan Haklaj: Ti je propagandues i platformës së PL-së.
Gëzim Saliu: Haklajat i ka ngelur ora para 3 vjetësh dhe duket se nuk është fare këtu.
Azgan Haklaj: Po ti je njeri pa orë, nuk njeh orë fare. Nuk ke as orë as busull, je një skllav i PL-së.
Gëzim Saliu: Atëherë ti je mercenar i Lulzim Bashës