Presidenti amerikan Donald Trump duket se ka "zbutur" retorikën ndaj homologut rus, Vladimir Putin, pasi tha se është i zemëruar me të dhe e kërcënoi me tarifa doganore ndaj naftës ruse, nëse nuk pranon një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë.
Por më vonë të dielën, pas intervistës për NBC News ku kritikonte Putin, Trump u tha gazetarëve se ai dhe presidenti rus "gjithmonë kishin shkuar mirë" dhe se ai nuk mendonte se Putin "do t'i kthehej fjalës së tij".
Për të folur mbi këtë situatë, eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, ishte i ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv.
Për Krisafin negociatat për armëpushim janë në vend-numëro për momentin dhe kjo për shkak të Rusisë, Sidoqoftë, eksperti beson se SHBA nuk kanë asnjë instrument të vërtetë në dorë për t’i imponuar vendime Moskës.
“Negociatat janë në vendnumëro për momentin, nuk po lëvizin. Arsyeja pse nuk po lëvizin vjen në një masë të madhe nga Rusia. Kemi pasur 2 armëpushime të cilat gjatë këtyre 2 muajve janë rënë dakord nga palët. Armëpushimi i parë ka qenë një armëpushim 30-ditor i gjithë luftës në Ukrainë, ndërsa armëpushimi i dytë ka qenë armëpushimi vetëm në Detin e Zi. Janë pranuar këto dy armëpushime nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara, por nuk janë pranuar nga Rusia. Kjo është arsyeja pse asnjë nga të dy armëpushimet nuk është vënë në zbatim. Arsyeja pse Rusia nuk ka pranuar armëpushimet është sepse e para armëpushimi i plotë mendon se do t’i jepte mundësi Ukrainës të riarmatosej dhe të ishte më e fortë, ndërsa për armëpushimin në Detin e Zi Rusia vendosi kushtet e saj: heqjen e sanksioneve nga europianët, gjë që ishte e pamundur për t’u pranuar”,- shprehet Krisafi.
“SHBA nuk kanë shumë mundësi sot për ta detyruar Rusinë për t’u ulur në tavolinë dhe arsyeja është se tregtia mes dy vendeve është shumë e papërfillshme dhe nuk ka çfarë sanksionesh të tjera t’i vësh. Dhe tjetra është fakti që Donald Trump tha se do t’u vendos sanksione atyre që blejnë naftë dhe gaz nga Rusia. Tani, dy blerësit më të mëdhenj të naftës dhe gazit nga Rusia janë Kina dhe India dhe deri më sot është dukur pothuajse e pamundur që të detyrosh si Kinën ashtu dhe Indinë që të mos blejnë naftë dhe gaz nga Rusia”,- shton ai.
Riarmatosjen e Europës, Krisafi e gjykon më shumë si një rienergjizim ushtarak në kuadër të NATO-s, më shumë se vendim i nxitur nga frika e një sulmi të mundshëm rus.
“Kam përshtypjen se ardhjen e kancelarit të ri Friedrich Merz, i cili pritet të që për javë të vijë në pushtet do të kemi një ndryshim shumë të madh në polikën e jashtme gjermane. Do kemi riarmatosje dhe bëhet fjalë për gati 1 trilionë dollarë në vitet në vazhdim të cilat do shpenzohen nga Gjermania për t’u riarmatosur. Kjo riarmatosje që po bën Gjermania, Britania e Madhe apo Franca, nuk lidhet drejpërdrejtë me mundësinë që të kemi një luftë me Rusinë në vazhdim, por ideja është për të mbrojtur në radhë të parë atë që quhet krahu lindor i NATO-s”,- tha Krisafi.
Komente
