Kaosi në Kuvend drejt fundit? Nikolla ul në tryezë palët! Bardhi pranon për Report Tv diskutimet! Alibeaj: Pazar! I përgjigjet Spiropali

8 Mars, 14:40| Përditesimi: 8 Mars, 18:26

  • Share

TIRANË- Seancat e kaosit në Parlament duket se po shkojnë drejt fundit. Maxhoranca dhe opozita kanë shkrirë akujt mes tyre dhe janë ulur në negociata.

Vetëm disa ditë më parë, me shtysë të ndërkombëtarëve, Lindita Nikolla ia ka dalë të ulë në një tryezë kryetarin e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin dhe drejtuesin e deputetëve të opozitës Gazment Bardhin. Në këtë tryezë Report Tv mëson se janë ulur dhe kryetarët e dy grupeve të tjera parlamentare të opozitës Mesila Doda dhe Dashamir Shehi.

Në takim siç burime konfirmojnë janë diskutuar kërkesat me të cilat opozita kushtëzon rikthimin në normalitet të Kuvendit: Komisionet Hetimore dhe përfaqësimi në Tryezën për Reformën Zgjedhore. Report Tv ka mësuar se PS ka rënë dakord të pranojë dy komisione hetimore, që do të jenë në dorën e opozitës se për çfarë objekti, me kushtin që ai të jetë konkret.

Për Report Tv, Gazment Bardhi pohoi negociatat:

“Kemi qenë dhe mbetemi për dialog politik me mazhorancën, me të vetmin kusht respektimin e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Si kryetar i grupit parlamentar të PD kam qenë dhe jam në komunikim të vazhdueshëm me institucionet brenda Kuvendit të Shqipërisë. Nuk i jam shmangur kurrë përballjes në këtë drejtim", thotë Gazment Bardhi në një reagim për Report Tv. 

Reforma zgjedhore
Shumë detaje nuk jep për negociatat që po bëhen për kërkesën tjetër të tij, për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn si bashkëkryetar të Komisionit të Reformës Zgjedhore, komision të cilit mandati i mbaron brenda muajit. Por Report Tv ka mësuar se po tentohet të krijohet një tjetër nënkomision me afat derisa Reforma Zgjedhore të konkludohet, në të cilin Bardhi kërkon të përfaqësohet me më shumë numra se Basha.

"Unë besoj se gjithëpërfshirja dhe konsensusi, si dhe respektimi i përfaqësimit real të opozitës sa i takon Reformës zgjedhore, ka qenë dhe mbetet një kërkesë e drejtë e opozitës. Pra kërkesa jonë lidhet me të drejtën e përfaqësimit real të opozitës në këtë proces dhe sigurisht që asaj kërkese i qëndrojmë", thotë Bardhi. 

Report Tv kërkoi një reagim edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi, por ai zgjodhi të mos komentonte uljen në bisedime me Rithemelimin e aleatët e tij opozitarë.

Negociatat jopublike për kërkesat e Rithemelimit, mes të cilave edhe ajo për të zëvendësuar bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore, nxitën reagimin e Enkelejd Alibeajt, që aktualisht mban në emër të PD bashkëkryesimin e Komisionit. Duke cituar çfarë flitet në media, Alibeaj i kërkoi socialistëve të sqarojë nëse po bëhen pazare për reformën zgjedhore.

Por përgjigjen e mori nga Elisa Spiropali, e cila thotë se nuk kanë se çfarë të negociojnë fshehurazi, ndërsa hamendësimet për të vrarë të vetëvrarin Lulzim janë hamendësime pa asnjë bazë.

Jashtë këtyre negociatave ka ngelur PD e Lulzim Bashës e cila nuk i është bashkuar kaosit, skenar të cilin e ka quajtur të dirigjuar nga Edi Rama e Sali Berisha.

PD në një reagim ironizon uljen e PS me Bardhin në një tryezë duke thënë se kaluan nga revolucioni në tavolina pazaresh, ndërsa Rama ndryshoi qëndrim për non gratat.

Ora 17:01
Korreshi publikon foton e Alibeajt: Pazaret i bëjnë në kafe, i shërbejnë Ramës

1709913976_korreshi.jpg

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi ka publikuar një foto në të cilën thotë se është Enkelejd Alibeaj ndërsa i përgjigjet lidhur me deklaratat për negociatat për rikthimin në normalitet të punimeve të Kuvendit. 

"Pazaret bëhen kafeve e restoranteve, duke dhënë besën që do mbajmë peng bashkërisht reformën zgjedhore, duke i shërbyer si zar Edi Ramës.  Nëse nga dialogu në institucione sheh se po humb rolin e zarit që mban peng opozitën, shqetësohesh dhe sdi ca flet, quan “pazar” kontrollin parlamentar ndaj Edi Ramës, quan “pazar” heqjen e mundësisë për bllokimin e reformës zgjedhore.  Pastaj zgjohesh dhe i fut edhe nje status: Jam dhe ndjehem “Princ i Spanjës”! Askush nuk mund të flas në emër të “Spanjë”, thotë Korreshi.

Ora 15:07
Spiropali i përgjigjet Alibeajt: Hamendjet për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë

1709327899_spiropali.jpg

Partia Socialiste ka reaguar pas akuzave të Enkeledj Alibeajt për pazar mes Rithemelimit dhe PS-së. Deputetja Elisa Spiropali thotë se nuk kanë se çfarë të negociojnë fshehurazi, ndërsa hamendësimet për të vrarë të vetëvrarin Lulzim janë hamendësime pa asnjë bazë. Spiropali nënvizon se nuk kanë penguar ngritjen e komisioneve hetimore dhe se kanë refuzuar pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës.

Duke u ndalur te Komisioni i Reformës Zgjedhore, Spiropali thekson se: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot.

‘Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore. Hamendjet mediatike lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë.

Konkretisht:

1. Ne kurrë s’kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, po bazuar në udhërrëfimet e Gjykatës Kushtetuese kemi refuzuar të votojmë për pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur.

2. Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot.

Kështu që edhe po të donim të negocionim gjësendi me rrugicën e dëshpërimit nuk do ta gjenim dot çfarë mund të ishte, ndërkohë që në Parlament ne shkojmë për të votuar ligje, ndërsa opozitat për t’i debatuar ato me ne. Kur opozitat s’duan të debatojnë po të harbojnë, ne votojmë dhe vazhdojmë punët e tjera. Kaq është e gjitha dhe megjithë keqardhjen e madhe për degradimin e opozitave, nuk kemi asnjë mundësi t’u vijmë në ndihmë as atyre që ulërijnë nga pagjumësia, as atyre që flasin në gjumë.’- shkruan Elisa Spiropali.

Ora 14:15
Negociatat, Alibeaj: PS të sqarojë nëse po bën pazar për reformën zgjedhore! Në emër të PD s’mund të flasin të emëruarit e Ramës

1709808313_alibeaj.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enklejd Alibeaj, ka reaguar pas negociatave mes PS dhe krerëve të grupeve parlamentare, përfshirë këtu edhe Gazment Bardhin. Në një reagim për mediat, Alibeaj shkruan se PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur që të bëjë Pazar për Reformën Zgjedhore.

Ai thekson se në emër të PD nuk mund të flasin të emëruarit e Ramës, duke nënkuptuar këtu grupin e Rithemelimit.

"Dy sqarime që publiku ka nevojë t’i dijë lidhur me negociata sekrete apo marrëveshje okulte të përfolura në media:

1. PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore. Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimmarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanëshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha.

2. Në emër të PD nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i Edi Ramës", thuhet në reagim. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • redi: 09/03/2024 14:59

    Kulmi kur mazhoranca I nenshtrohettipave si Noka e bardhi !

    Përgjigju
  • Pena: 08/03/2024 21:18

    Ky Korroveshi po su be deputet perseri, do te mbyse vehten ne kanalet kulluese te Myzeqese, ose me ndonje sallator!!!

    Përgjigju
  • Popull: 08/03/2024 17:48

    Gabim i madh te ulesh ne tryeze me perfaqsuesit e Berish kriminelit.Mos bini ne gjunj para presionit te zagarve te nje krimineli

    Përgjigju
  • Meri: 08/03/2024 13:22

    Ka të drejtē,apo jo,opozita në kërkesat e saj,duhet të zbatohet ligji,dhe jo pazaret.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?