Ndërkombëtarët janë angazhuar jo vetëm për të vënë në lëvizje dialogun parlamentar, por edhe për të çuar deri në fund rikthimin e bashkëjetesës normale në Kuvend mes mazhorancës e opozitës.
Pasi presioni i diplomacive të huaja në vendin tonë prodhoi një takim të parë mes Lindita Nikollës Gazmend Bardhi, Bledar Çuçit, dhe 2 krerëve të grupeve të vogla parlamentare Dashamir Shehi, e Mesila Doda, i dërguari me punë i SHBA në vendin tonë, David Wisner takoi personalisht kryeparlamentaren për t’i përcjellë mesazhin se parlamenti duhet të rikthehet në normalitet.
“Parlamenti është shumë i rëndësishëm për vendin dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë”- u shpreh David Wisner.
Të njëjtën thirrje e përsëriti nga Durrësi edhe ambasadori i BE Silvio Gonzato.
“Ne dëshirojmë një proces gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, që reflekton realitetin politik.”- theksoi ai.
Duke u nisur nga këto thirrje të vazhdueshme të ndërkombëtarëve Lindita Nikolla do të ulë sërish të martën në orën 13:30 tryezën e Konferencës së kryetarëve, krerët e grupeve parlamentare Bledi Çuçin dhe Gazment Bardhin, i cili dy orë para, më 11:30 ka thërritur në mbledhje deputetët e tij.
Bardhi nuk i është bashkuar prej thuajse 5 muajsh mbledhjeve të Konferencës së Kryetarëve, por bisedimet mund ta rikthejnë atë në tryezën e drejtuesve të grupeve parlamentare, çka do të ishte shenja e parë e një dakordësie në horizont për t’i dhënë fund kaosit.
Ndërkohë Report Tv mëson se këtë të hënë Nikolla ka zhvilluar takime të ndara në kryesinë e Kuvendit me kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin, por edhe me kryetarët e dy komisioneve, Damian Gjiknurin e Reformës Zgjedhore dhe Klotilda Bushkën e Ligjeve, me gjasë për të diskutuar me ta mundësitë sesi do të qasen në negociata me grupin e Rithemelimit për çështjen e Zgjedhores.
Për këtë çështje, që është pika më e vështirë e negociatave, diskutimet janë që nëse Komisioni Bipartizan, ku Rithemelimi ka refuzuar të marrë pjesë përsa kohë bashkëkryetar është Enkelejd Alibeaj i PD, dështon të prodhojë një produkt deri në fund të marsit kur i mbaron mandati, të zhvendoset në një nën-komision në Kuvend, ku Gazment Bardhi kërkon të ketë më shumë anëtarë se PD zyrtare duke vlerësuar se ai është opozita reale.
Për reformën zgjedhore një përpjekje për të ulur palët e për të dëgjuar propozimet e tyre do ta bëjë dhe OSBE-ODIHR, që më 13 mars sjell në Shqipëri ekspertët e saj për një tryeze pune, ku edhe Bardhi mësohet se do të ketë përfaqësuesin e tij.
Sa i takon kërkesës së Rithemelimit për komisionet hetimore, palët duket të jenë dakordësuar për të pranuar 2 të tillë, me kushtin që objekti të jetë konkret.
Edvin Kulluri, Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD, në një postim në rrjetet sociale, thekson se PD nuk se ka gjë kundër diskutimeve për normalizimin e Parlamentit të Shqipërisë, por kundërshton çdo negociatë për prishjen e listave të hapura dhe reformës në drejtësi.
Postimi i plotë
Marreveshjet midis paleve ne Kuvendin e Shqiperise nuk mund te jene marreveshje qe cenojne interesin publik!
Partia Demokratike prej muajsh kerkon qe Kuvendi te kthehet ne normalitet dhe jo teater konfliktesh qe kane prodhuar ligje te pa debatuara dhe jo transparente ashtu sic deshironte Rama. Ashtu sic kur kerkesat per komisione hetimore jane te drejta por ato duhet te jene te qarta dhe ne shinat e praktikave parlamentare, sic deshmoi komisioni hetimor per Inceneratoret qe Partia Demokratike ngriti 2 vite me pare dhe rezultoi nje sukses i plote.
Por nuk mund te kete marreveshje kunder Listave te Hapura, Barazise se Votes, Pjesemarrjes se Diaspores dhe Votimit Elektronik. PD eshte e vendosur qe vota tu kthehet qytetareve si shprehje e vullnetit dhe sovranitetit te tyre.
Po ashtu Partia Demokratike u ben te qarte PS dhe Deputeteve te tjere te Kuvendit se cdo perpjekje kunder Refromes ne Drejtesi do te gjeje tek Partia Demokratike nje kundershtar te vendosur. PD do mbetet kunder cdo pazari dhe njekohesisht pro funksionimit demokrafik te insitucioneve.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u takua sot me të ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, David Wisner. Gjatë takimit u diskutua mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe thellimin e reformave.
Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Kryeparlamentarja e informoi Wisner mbi përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit që shqyrtohet e miratohet në Kuvend.
Ambasada e SHBA-ve reagoi për takimin e Wisner me Nikollën duke vënë në dukje se diskutimet kryesore ishin bërë rreth kthimit në normalitet të Kuvendit, ku prej muajsh Rithemelimi shkakton kaos duke mos lejuar diskutimet dhe debatet mbi projektligje shumë të rëndësishme.
“I Ngarkuari me Punë David Wisner u takua sot me Kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla për të theksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e saj në zbatimin e ligjit dhe kundër korrupsionit, teksa vendi ecën përpara drejt integrimit Euroatlantik. Një parlament plotësisht funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive për njerëzit është thelbësor për përmbushjen e këtyre synimeve”- thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.
Teksa PS ka nisur negociata me Gazment Bardhin për t’i dhënë fund skenarit të kaosit, deputetja Ina Zhupa thotë se normaliteti në Kuvend do të kthehet vetëm nëse opozitës i jepet e drejta e komisioneve hetimore dhe përfaqësimi në komisionin e reformës zgjedhore.
‘Unë besoj që në fillim të herë e kemi thënë që duam normalitet në kuvend, që kur kemi nisur protestën e kemi thënë dhe jemi të gatshëm të kthehemi në normalitet për sa kohë vendos Lindita Nikolla që ti kthehet të drejtave të opozitës, komisionin e reformën zgjedhore dhe komisionet hetimore. Për mua që nesër nëse i kthehen ata normalitetit nëse ata i kthehen normalitetit, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë betejën në kuvend me interpelanca dhe seanca dëgjimore, me të gjitha format qe na jep rregullorja e kuvendit dhe kushtetuta.’- tha Zhupa.
Ambasadori i delegacionit të BE në vendin tonë, Silvio Gonzato u bën thirrje palëve politike që të rikthejnë normalitetin në Kuvend. Nga Durrësi, i pyetur mbi situatën në parlamenti, Gonzato tha për gazetarët se dialogu për të risjellë stabilitetin duhet të jetë konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.
Ai theksoi se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektojë situatën aktuale politike, në mënyrë që të bëhen dhe reformat e nevojshme.
“E kam thënë dhe disa kohë më parë kur u pyeta pikërisht për këtë çështje. Megjithatë unë përdora fjalët që ne kishim thënë më parë dhe këto fjalë janë që ne dëshirojmë që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv. Duhet gjithashtu të reflektojë realitetin politik në vend”, theksoi ambasadori.
Po ashtu ai komenton edhe nisjen e bisedimeve për të kthyer parlamentin në normalitet.
“Unë e di që ka disa përpjekje që po bëhen në parlament, pikërisht për të arritur disa reforma në vend. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e ka bërë të qartë që këto janë çështje të cilat ne besojmë do të zgjidhen së shpejti”, u shpreh Gonzato.
Prej gati 5 muajsh në Kuvend nuk ka një normalitet, pasi grupi i Rithemelimit vijon me skenarin e bllokimit. Kryeparlamentarja, Lindita Nikolla ka zhvilluar takime me krerët e grupeve parlamentare, mes tyre edhe Bardhin e Rithemelimit me qëllim për të kthyer normalitetin në Kuvend. Në diskutime është edhe komisioni i Reformës Zgjedhore.