Presidenti Donald Trump telefonoi ditën e djeshme (12 shkurt 2025) presidentët Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyn, me qëllim nisjen e negociatave për përfundimin e luftës afro 3-vjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës.
Republikani 78-vjeçar ka deklaruar përmes rrjeteve sociale se të dy palët kanë rënë dakord për nisjen e bisedimeve, lajm i cili është konfirmuar edhe nga vetë Kievi e Moska.
Ndërsa hapat e parë të këtyre negociatave të nxitura nga presidenti Trump, pritet të ndodhin në Konferencën e Mynihut, që do të mbahet këtë fundjavë.
I ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report TV, Geron Kamberi, ekspert për marëdhëniet ndërkombëtare, tha se gjasat që fazat më kritike të negociatave mes dy palëve të zhvillohen në vende si Arabia Saudite, ndërsa përjashtohet tërësisht ndonjë shtet i Europës.
“Është një variant mund të jetë Arabia Saudite. Mund të jetë interesante pasi takime të kësaj natyre janë zhvilluar kryesisht në Europë, në shtete që kanë status neutral, por siç e përmenda pak më parë, konflikti i Rusisë me Ukrainën nuk ka lënë pa prekur asnjë të Europës dhe presidenti Putin e ka bërë të qartë se nuk do të zhvillonte takimin në asnjë vend europian që është përfshirë në sistemin e sanksioneve kundër Rusisë. Ndoshta mund të mbesë një opsion i Lindjes së Mesme, janë ofruar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Turqia para pak kohësh, patëm dhe një ofertë nga Serbia”,-tha Kamberi.
Eksperti për marëdhëniet ndërkombëtare thotë se Europa dhe specifikisht Bashkimi Europian mund të jetë i përjashtuar si aktor në këtë negociatat mes Kievit dhe Moskës.
“Nuk ka asnjë kontakt specifik me përjashtim të presidentit Macron. Gjermania është në një situatë zgjedhore, ku siç duket nga sondazhet kandidati për kancelar zoti Merz, mund të jetë kancelar i ri i Gjermanisë dhe do të shikojmë se çfarë qëndrimi do të mbajë ai ndaj Rusisë”,- u shpreh Kamberi.
“Në këtë konlfikt është konsideruar si faktor i papërfillshëm. Të paktën Putin por edhe Trump i cili tashmë e ka bërë të qartë që nuk parapëlqen shumë ta konsiderojë, të paktën disa deklarata të tij, në fjalimin e tij të inaugurimit, pothuajse nuk e përmendi fare as Europën as Bashkimin Europian, kështuqë BE i duhet të përcaktojë një strategji të tij dhe të jetë i gatshëm për çdo skenar”,- theksoi eksperti.
Komente
