Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është më e vështirë të negociohet për paqe me Ukrainën sesa me Rusinë. Gjatë një konference për shtyp në Zyrën Ovale ai tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përparime të mira në negociatat me Moskën, krahasuar me Ukrainën.
Presidenti amerikan gjithashtu tha se beson se Putin dëshiron të përfundojë luftën, por nuk është i sigurt nëse ka po të njëjtin qëllim edhe Ukraina. Ai deklaroi se Vladimir Putin "po e godet Ukrainën më fort se më parë", por gjithashtu ka theksuar se nuk është i sigurt nëse Kievi është i gatshëm për të negociuar për paqe.
“Nuk jam i sigurt nëse Ukraina do një marrëveshje”, tha Trump, duke theksuar se ai kishte ndërprerë ndihmën për Kievin për shkak të pasigurisë në qëndrimin e Ukrainës ndaj mundësisë për një zgjidhje paqësore.
Trump theksoi gjithashtu se vendet evropiane nuk kanë një plan të qartë për të përfunduar krizën në Ukrainë, duke shtuar se ato janë në një pozicion të vështirë dhe nuk dinë se si të ndalojnë luftën. Sipas tij, nganjëherë pyetjet e tilla nuk kanë përgjigje të menjëhershme.
Ndërkohë, forcat e armatosura ruse kryen një sulm masiv të armatosur në qytetin e Odessa. Ndërsa 11 civilë u vrarë dhe 30 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore ruse në rajonin Donetsk. Po ashtu nga sulmet me dronë në Kharkiv raportohet për tre të vrarë dhe shtatë të plagosur.
Këto sulme të reja sipas presidentit Volodymir Zelensky tregojnë se “objektivat ruse në Ukrainë janë të pandryshuara”.
Komente
