Kishte premtuar se në 2023 do fitonte një brez të artë dhe ia doli. Kampioni shqiptar i peshave të rënda në boks Nelson Hysa mposhti me Nokaut në Tiranë Vikapito Meroro, ish-kampionin e Afrikës. Për rrjedhojë gjerdani i artë i UBO-s tani do qëndrojë në brezin e shkodranit.
“Të them të vërtetën nuk e kisha menduar kaq shpejt, por në peshat e rënda ndodh kjo ku ndeshjet mbyllen para kohe. Për mua është një gëzim i madh sepse kurorëzoj një karrierë shumë të gjatë dhe tani po vijnë rezultatet më të lartë. Pikërisht në kohën kur unë po i përkushtohem totalisht sportit,”-u shpreh Nelson Hysaj, boksier.
Në natën e veçantë të boksit në Tiranë një ndeshje tepër emocionuese fitoi Arjon Kajoshi, i cili mposhti me pikë letonezin Ivans Levickis. Për boksierin shqiptar kjo ishte fitorja e gjashtë në gjashtë ndeshje në boksin profesionist, ndërsa ajo që askush nuk priste ishte ngjitja në ring dy javë pasi humbi nënën e tij.
“Hyra në ring për t’ia dedikuar ndeshjen nënës timë. Për atë e bëra të gjithën. Doja shumë t’ja dedikoja,”-tha Ajon Kajoshi, boksier.
Organizatori kryesor i ‘Grushtit të Hekurt’ në Tiranë ishte trajneri i mirënjohur i Atletikës Taulant Stërmasi.
“Kam shumë pasion atletikën dhe dihet që në raport me trajnimin do mbetet përgjithmonë. Këtu po flasim për diçka tjetër. Po bëj rolin e menaxherit. Dua që boksierët shqiptarë të rriten në nivel ndërkombëtar,”-deklaroi Taulant Stërmasi, organizator i ‘Grushtit të Hekurt’.
Vlen për t’u përmendur se edhe boksieri i talentuar i Tiranës Alban Beqiri fitoi një ndeshje tejet të dyluftuar me kampionin moldav Vasile Negara.