Edison Memolla

Nën akuzë për korrupsion në zgjedhje, shtyhet më 30 nëntor seanca për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla! Mungonte prokurori

15 Nëntor 2023, 09:34| Përditesimi: 15 Nëntor 2023, 10:15

  • Share

TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme ishte parashikuar që të mbahej seanca paraprake për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili është nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022. Mirëpo seanca është shtyrë për më datë 30 nëntor, pasi mungonte prokurori. Vetë kryebashkiaku Memolla kishte zgjedhur që të mos paraqitej në GJKKO, por kishte dërguar vetëm avokatët e tij.

Më 2 nëntor, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Memollën bashkë me tre persona me akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje” të kryer në bashkëpunim. Ai akuzohet se në cilësinë e kandidatit për Kryetar Bashkie, në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, ndikon tek i akuzuari tjetër Blerim Xhamani, elektricist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që ai të votonte në favor të tij. I pandehuri tjetër, Ndriçim Tafxhafa, sipas SPAK, i ka premtuar një shtetaseje shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe strehim, duke i kërkuar votën.

Akuzat  e SPAK ndaj Memollës dhe tre të akuzuarve të tjerë

-Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328-25 i K. Penal;

-Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal;

-Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal;

-Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?