Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke lënë në burg ish efektivin e RENEA-s Altin Morina, i dyshuar për pjesëmarrje në kultivim droge në kuadër të grupit kriminal. Prokurori Alfred Shehu relatoi para gjykatës 26 faqe përgjimë që sipas SPAK janë marrë nga aplikacioni Sky.
Më tej prokurori Shehu tha se Altin Morina dhe Durim Bami kanë bashkpunuar edhe më nje person të quajtur prej tyre si "Drejtori" që ende vijon të jetë i paidentifikuar. Këto akuza kanë hasur kundërshti nga mbrojtja e Morinës duke pretenduar se ish-efektivi i RENEA-s nuk ka lidhje me grupin kriminal.
Altin Morina ishte në kërkim prej kohësh pasi nga momenti i lëshimit të urdhrave të ndalimit në kuadër të operacionit të koduar Revanshi, nuk u gjet në banesë. Kanë qenë oficerët e komisariatit nr 2 që e pikasën ish-efektivin e RENEA-s duke i vendosur prangat më 4 prill të këtij viti.
Për këtë dosje, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim anëtarët e 7 grupeve kriminale. Këto personave vepronin në disa qytete si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli. Në total u lëshuan 50 urdhër arreste dhe pothuajse gjysma e tyre u ekzekutuan brenda dhe jashtë vendit ndërsa disa të tjerë ishin të arrestuar për akuza të tjera.
Ish efektivi i RENEA-s ka qenë arrestuar edhe më herët, në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte në zonën e Kodrës së Diellit iu gjetën 113 mijë euro. Në prill të atij viti ai u lirua nga Gjykata e Tiranës dhe u la me detyrim paraqitje pasi paraqiti në gjykatë faturën që tregonte se ia kishte marrë paratë një biznesmeni për problemet e tij personale.
Në atë kohë, policia kishte dyshime se ai kishte lidhje me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Emri i tij doli sërish në skenë në maj 2024 në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Komente
