Luiza Mandi

Kronikë

Shpërdoroi detyrën, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 8 muaj burg për ish-kryebashkiaken e Libohovës! I konvertohet në 1 vit e 4 muaj shërbim prove

19 Mars, 13:15| Përditesimi: 19 Mars, 13:28

  • Share

Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me 8 muaj burg të ish-kryebashkiakes së Libohovës Luiza Mandi, për shpërdorim detyre. Në ndryshim nga Shkalla e Parë, Apeli ia pezulloi dënimin me burg duke e konvertuar në 1 vit e 4 muaj shërbim prove.

Bëhet fjalë për një kallëzim të bërë nga një qytetar, i cili pretendonte se në pronat e familjarëve të tij bashkia po zhvillon një projekt zgjerim rruge ku kishte pajtuar firmën Alba Kontruksion për kryerjen dhe zhvillimin e zonës. Duke u njohur me këtë fakt, qytetari ka kontaktuar vetë me kryetaren e bashkisë dhe përgjegjësin e urbanistikës, ku e kanë sqaruar se pas përfundimit të projektit do të merreshin me riparimin e dëmeve të shkaktuara në tokat e tij, si dhe duke pastruar dherat dhe inertet që ishin hedhur.

Por gjatë përfundimit të punimeve, denoncuesi ka konstatuar se muri rrethues nuk ishte ndërtuar në cilësinë e duhur, por ndërtimi ishte shtrirë edhe në sipërfaqe të tjera të tokave në pronësi të tij. Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme nisi hetimet dhe sekuestroi projektin në fjalë ku është konstatuar se ishin cenuar pronarët e tokës nga Libohova.

Sipas shkresave, gjatë zhvillimi të projektit në fjalë nuk është zbatuar procedura e shpronësimit çka ka sjellë dhe dënim ekonomik të familjes kallëzuese në një vlerë prej 362,480 lekë.

Njoftimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare),  më datë 19.03.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 12 akti, datë 20.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e ankueses/të pandehurës L.M., kundër vendimit nr. 38, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurës L.M., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe bazuar në nenet 49, 248 të K.Penal, dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
  2. Në bazë të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, të pandehurës L.M., i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
  3. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, të formës së prerë, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
  4. Bazuar në nenin 35 paragrafi 2 të K.Penal, heqjen e të drejtës së të pandehurës L.M. për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vjet.
  5. Shpenzimet procedurale, ato gjatë hetimit të çështjes në vlerën 120.000 (njëqind e njëzet mijë) lekë si dhe ato të gjykimit, sipas formularit bashkëngjitur këtij vendimi, të paguhen nga e pandehura L.M.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 38, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me ndryshimin:

- Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurën L.M. dhe vënia në provë për një afat prej një vit e katër muaj, duke u detyruar e pandehura të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Gjirokastër, në juridiksionin e së cilës ka vendbanimin, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

- Në bazë të nenit 61 të Kodit Penal, urdhërohet e pandehura L.M. t’iu përgjigjet thirrjeve e kërkesave të organeve për mbikëqyrjen e provës.

2. Shpenzimet gjyqësore në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurës L.M.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?