Rexhë Byberi, dhe Abedin Kërrnaja

Kronikë

SPAK çon për gjykim kreun e Bashkisë Tropojë, Byberi dhe zv.kryetarin: Lejuan hapjen e dy rrugëve në kundërshtim me ligjin, 277 milionë lekë dëm

4 Mars, 12:53| Përditesimi: 4 Mars, 14:10

  • Share

SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim Kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësin e tij Abedin Kërrnaja aktualisht në arrest shtëpie. Dy zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre me dëm financiar mbi 277 milion lekë, ku për ndërtimin e dy rrugëve rrafshuan pyjet pa u konsultuar me institucionet e tjera të mjedisit.

Sipas SPAK, Byberi dhe Kërrnaja kanë lejuar subjektin fitues të tenderit të kryejë prerje të pyllit dhe të ndërtojë rrugët pa marrë më parë lejet e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Konkretisht, ata nuk kanë zbatuar procedurat e kërkuara nga ligji, që parashikojnë aplikimin në sistemin elektronik e-Leje pranë bashkisë, verifikimin e dokumentacionit dhe konsultimin me institucionet përkatëse të mjedisit për të vlerësuar ndikimin e këtyre punimeve.

SPAK bën me dije se kjo praktikë është ndjekur më shumë se një herë dhe ka rezultuar në shkelje të ligjit. Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka arritur në konkluzionin se Byberi dhe Kërrnaja kanë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar.

Të dy zyrtarët janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku do të përballen me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, sipas nenit 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dërgimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe Zv/Kryetarit të Bashkisë z. Abedin Kërrnaja, pas përfundimit të hetimeve në kuadër të procedimit penal nr.1 të vitit 2024.

Të pandehurit janë akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” (më shumë se një herë), e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga të dhënat ka rezultuar se i pandehuri Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Konkretisht, për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar), për hapjen e një rrugë të re, subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi siç parashikohet legjislacioni për këto lloj punimesh.

Konkretisht neni 15 i VKM nr. 408, datë 13.05.2015 ( e ndryshuar) ka saktësuar dokumentet tekniko-ligjore që duhen depozituar në sistemin e-leje gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje), për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 e VKM nr. 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar).

Rezulton se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatëmilion e gjashtëqind e njëmbëdhjetëmijë e pesëqind e njëzet) Lekë.

Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, në analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionit të administruar, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe verifikimin me kujdes të çdo detaji, arrihet  në konkluzionin se: shtetasi Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, në bashkëpunim me shtetasin, Abedin Kërrnaja kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim të VKM Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, për hapjen e rrugëve duke sjellë dëme, në vlerën e përcaktuar nga akti i ekspertimit.

Evidentohen elementë të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, në ngarkim të pandehurit Rexhë Byberi, i cili ushtronte detyrën kryetarit të Bashkisë Tropojë si dhe te pandehurit Abedin Kërrnaja, i cili ka mbajtur pozicionin Zv/Kryetarit të Bashkisë Tropojë.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme,  ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të:

Rexhë Byberi, Kryetari i Bashkisë Tropojë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shumë se një herë), të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal.

Abedin Kërrnaja, Zv/Kryetari i Bashkisë Tropojë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 05/03/2025 02:45

    Keta po e pesojne per dy rruge fshati,po ndertimi i aeroportit te Vlores prane zonave te mbrojtura kur do te merret nen hetim? Per te kane reaguar dhe ambientalistet vendas,por dhe organizata nderkombetare dhe BE,apo duhet ndonje Leonardo Di Caprio per te, si per Vjosen?!

    Përgjigju
  • ARDA COSTRUZIONI: 04/03/2025 17:16

    Tani SPAKU është kthyer në shoqatë ambientaliste ,arrestojnë ata që presin pemët për të bërë rrugë dhe jo ATA që kanë PRERE jetë njerzish për pushtet???çfar do t'i bënte agjensia e mjef8sit pemëve ?

    Përgjigju
  • sherif: 04/03/2025 14:25

    Shikoni se me çfar meret SPAK që është kthyer në një klloun qesharak,rrugët janë bërë për populln shikoni vrasjet e Sali NON GRATËS e Fatmir GËRDECIT.

    Përgjigju
  • Montana: 04/03/2025 13:11

    Po për prishjen e mbikalimin tek Zogu i Zi, a dotë mbajë përgjegjësi për miliona eurove e taksapaguesve Shqiptarëve hedhura aty,dhe prishja nga ana e opozitës! A dotë meret içkë SPAKu?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rreth 240 mijë regjistrime, sa përcaktuese do të jetë vota e diasporës më 11 maj?