Nën hetim nga SPAK, kryebashkiaku i Rrogozhinës: Përveç meje po baltosni familjarët e mi! Do përdor çdo armë ligjore për t’i mbrojtur

23 Mars, 16:58| Përditesimi: 23 Mars, 17:47

  • Share

Një ditë pasi u bë e ditur se SPAK ka nisur hetim për kreun e bashkisë së Rrogozhinës Edison Memolla për pastrim parash, ka ardhur reagimi i këtij të fundit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Memolla i konsideron akuzat ndaj tij si shpifje.

Ai shkruan se edhe pse ndaj tij është hedhur baltë, nuk ka dalë hapur kundër tyre pasi do t’i përgjigjet drejtësisë, por shton se tanimë përveç tij, po baltoset edhe familja e tij, me akuza të rëndë dhe të pafalshme.

Kryebashkiaku shkruan se kjo e beri atë të reagoj dhe do të përdor çdo armë të mundshme ligjore për t’i mbrojtur ata.

‘Reagim!!! Deri më sot jam përballur me çdo akuzë, shpifje, të pavërtetë apo lajm të rremë që prej kohesh kanë dalë për të ulur në sytë e gjithkujt imazhin tim. Të qenurit pjesë e politikës padyshim që të bën të jesh në shënjestër të shumë kazanëve mediatik vetëm për të përmbushur kërkesat e personave të etur për pushtet që fshihen pas siglave televizive.

Megjithatë kurrë nuk kam dalë kundër tyre hapur pasi jam individ që di ti përgjigjem drejtësisë për aq kohë sa punën dhe postin që ma kanë besuar qytetarët e mi e drejtoj me ndershmëri dhe pastërti. Por fakti që përveç meje po baltosni familjarë të mi me akuza tepër të rënda dhe të pafalshme, madje për të disatën herë, më bën të reagoj dhe të përdor çdo armë të mundshme ligjore për t'i mbrojtur ata.

Kushdo që na njeh e di mirë me sa mund dhe djersë ka arritur familja ime të jetë kjo që është tani dhe për të gjithë ata që nxjerrin fjalë të tjera përveçse kësaj të vërtete, tashmë do të shihemi qoftë edhe për shpifjen më të rëndomtë, në dyert e të gjitha institucioneve të drejtësisë. Me respekt, Edison Memolla!’- shkruan Edison Memolla.

Burime thonë se në adresë të tij po hetohet një transfertë e dyshimtë prej 1 milionë Eurosh. Prokuroria e Posaçme ka nisur letërporosi autoriteteve partnere, ku kërkohet informacion.

Përveç korrupsionit zgjedhor ku përfundoi në gjykatë çështja ndaj tij, ndaj Memollës nisi hetimi edhe për shpërdorim detyre muaj më parë me dyshimet se ka abuzuar me fondet e rindërtimit.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?