Ish-futbollisti i Romës në Serie A, Radja Nainggolan është në telashe me ligjin pas lëvizjes së tij të fundit në Kategorinë e Dytë të Belgjikës. Lajmi vjen si "rrufe" pak ditë pas rikthimit të tij në fushë me fanellën e Lokeren-Temse.
'Corriere della Sera', duke cituar shtypin vendas tregon se Nainggolan u arrestua të hënën në mëngjes në Bruksel si pjesë e një hetimi mbi trafikun e dyshuar ndërkombëtar të drogës.
Sipas prokurorit Julien Moinil, hetimi ka të bëjë me importimin e kokainës nga Amerika e Jugut në portin e Antwerpit dhe shpërndarjen e saj më pas në Belgjikë. Gjatë ditës, 30 kontrolle u kryen midis Antwerpit dhe Brukselit.
Nainggolan, tani në pyetje, është në mesin e të arrestuarve. Prokurori theksoi se, në respektim të prezumimit të pafajësisë, nuk do të bëhen të ditura detaje të tjera për momentin.
Sipas shtypit lokal, gjatë një kontrolli shtëpie në Antwerp, forcat e rendit sekuestruan Smart Brabus-in e tij, një makinë sportive elektrike, e cila ndodhej në një garazh nëntokësor në Braziliwstraat.
Partnerët e biznesit të Nainggolan përfshijnë edhe IA, i cili ka qenë i përfshirë më parë në një skandal të madh të trafikut të kokainës. Në vitin 2016, IA u dënua në Shtetet e Bashkuara për trafik droge, i lidhur me një operacion të drejtuar nga organizata terroriste Hezbollah.
Komente
