VIENË- Sebastian Kurz, ka dhënë dorëheqjen si kancelar i Austrisë, pasi u vu në hetim për korrupsion. Përmes një konference për shtyp, Kurz tha se nuk do të largohet nga drejtimi i "Partisë Popullore Austriake", ndërsa bëri me dije se në vendin e tij propozon ministrin e Jashtëm Alexander Schallenberg.
Sebastian Kurz i mohon akuzat për korrupsion, ndërsa ka thënë se ishte i gatshëm që të vazhdonte koalicionin me të Gjelbrit, por këta të fundit i kanë kërkuar atij dorëheqjen.
"Doja të hapja rrugën për të parandaluar kaosin dhe për të siguruar stabilitetin," tha Kurz.
Tre ditë më parë hetuesit austriakë kanë bastisur zyrat e kancelarit austriak, Sebastian Kurz dhe partisë së tij OVP, pasi akuzohen për korrupsion. Nën hetim është vendosur edhe kancelari Kurz. Dyshimet për korrupsion kanë filluar pasi dyshohet që nga viti 2016 kur Kurz ka qenë ministër i Jashtëm dhe më vonë kur është bërë kancelar, Ministria e Financave ka paguar reklama në një gazetë, në këmbim të sondazheve dhe favorizimin e tij.