Skema e pensioneve ka nevojë për reformim dhe mbështetja e pensionistëve nuk duhet të bazohet vetëm në bonuse. Ky është qëndrimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë, ku parashikon ditë jo të mira për deficitin e skemës së pensioneve, në kushtet kur lindshmëria po bie, emigrimi është rritur dhe popullsia po plaket.
“Rritjet AD HOC të pensioneve, siç është bonusi i fundvitit i shpallur nga autoritetet në nëntor 2024, duhen trajtuar me kujdes, që të mos bëhen të përhershme. Mbështetja për familjet vulnerabël të kanalizohet më mirë përmes skemave të orientuara të asistencës sociale”, rekomandon FMN.
FMN paralajmëron se nevoja për shpenzime nga buxheti për të mbuluar deficitin e skemës së pensioneve do të thellohet, nga nën 1% e PBB që është aktualisht në afër 4% në vitin 2052.
“Me detyrimet e pensioneve që tejkalojnë kontributet, sistemi i pensioneve në Shqipëri tashmë po përballet me një deficit dhe presionet mbi shpenzimet pritet të rriten në përputhje me tendencat e parashikuara demografike”, vijon më tej FMN.
Për këtë arsye FMN thotë se kjo skemë ka nevojë për një reformë ambicioze, duke nisur nga reduktimi i informalitetit në tregun e punës si dhe marrja e masave për të rritur të ardhurat tatimore.
“Reformat e pensioneve mbetet një prioritet kryesor, edhe pse deficiti i skemës së pensioneve është aktualisht në një nivel historikisht të ulët, bonusi i fundvitit është masë e përkohshme”, thotë FMN.
Referuar CENS-it të 2023-shit, një në pesë shqiptarë është mbi moshën 65 vjeç, nga 1 në 9 që ishte në 2011-ën, ndërkohë që mosha mesatare në vend është rritur me 7 vite krahasuar me vitin 2011 dhe aktualisht është 42 vjeç.
Vetë institucionet në vend kanë deklaruar se po analizohet skema e pensioneve për ta përmirësuar atë, por deri në rishikim të saj, mbështetja e pensionistëve do të bëhet përmes bonuseve.
Paralelisht administrata tatimore ka nisur aksionin kundër nëndeklarimit të pagave, si një nga shkaqet kryesore për nivelin e ulët të pensioneve, pasi sa më e ulët të deklarohet paga, aq më pak sigurime paguhen për të punësuarin, dhe si efekt zinxhir, edhe pensioni del më i ulët sesa pritshmëritë.