Nënë e bir, të dy Belshi, ishin zhvendosur drejt Përmetit dhe Tepelenës, me synimin e vetëm për të vjedhur.
Policia ka mundur të zbulojë dhe dokumentojë 6 raste të vjedhjeve nga ana e tyre, të cilët grabisnin paratë në banesa, lokale dhe objekte kulti.
Në pranga ra Zybejte Uruci 67 vjeçe, ndërsa në kërkim është shpallur djali i saj Lodian Uruci 36 vjeç.
Sipas policisë, nënë e bir studionin dhe vendet dhe banesat që do të vidhnin dhe prisnin orët e natës për të vepruar.
Ata përdornin sende të forta për të hyrë brenda banesave dhe objekteve.
Njoftimi i Policisë:
Tepelenë-Memaliaj
Vidhnin sende me vlerë dhe shuma parash në banesa, lokale dhe objekte kulti; vihet në pranga bashkëpunëtorja e tij, si dhe shpallet në kërkim një 36-vjeçar (nënë e bir).
Zbardhen dhe dokumentohen 6 raste vjedhjesh të kryera në qytetin e Memaliajt dhe Përmetit gjatë muajve maj–shtator.
Sekuestrohen sende të përdorura gjatë vjedhjeve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj, si rezultat i punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative dhe puna operative në terren, ndaluan shtetasen Z. U., 67 vjeçe, banues në Belsh.
Gjithashtu, u shpall në kërkim djali i saj, shtetasi L. U., 36 vjeç, banues në Belsh.
Nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, studionin vendet dhe banesat që vidhnin dhe vepronin në orët e vona të natës. Duke përdorur sende si kaçavidë dhe levë, ata kanë kryer vjedhje të ndryshme në qytetin e Memaliajt dhe Përmetit, konkretisht:
04.05.2025, fshati Vasjar, Memaliaj – në banesën e shtetasit P. Ll., kanë vjedhur bizhuteri floriri dhe një shumë parash;
10.07.2025, fshati Krahës – në një objekt kulti, kanë vjedhur një shumë parash;
07.08.2025, fshati Sukë, Përmet – në një objekt kulti, kanë vjedhur një shumë parash;
23.08.2025, fshati Petran, Përmet – në lokalin e shtetasit A. L., kanë vjedhur një shumë parash;
04.09.2025, Memaliaj – në një objekt kulti dhe në një lokal, kanë vjedhur një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 celular dhe sendet që përdornin për të kryer vjedhjet (levë dhe kaçavidë).
Punohet për kapjen e 36-vjeçarit. Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.
Komente
