Ile Gjuni, mamaja e djalit 3 vjeçar

Nënën mund ta zëvendësojë edhe ujkonja, po shoqërinë nuk e zëvendëson dot kush

20 Prill, 10:58| Përditesimi: 20 Prill, 11:01

  • Share

 Mirë e kishe shkruar sta tusin e sotëm – më tha arkëtarja e marketit, juriste në profesion – po bën mirë t’i thuash gjërat më copë: Policia ta bëjë natën ditë, ta gjejë djalin e t’ia kthejë së ëmës, se asaj i dhëmb më shumë; gjyshërit t’i rrasë brenda për rrëmbim personi e keqtrajtim të mituri. Të tjerat që thoshe me empatira e vetëpërmbushje janë filozofira e s’para ngjisin.

Buzëqesha dhe i thashë frazën e dalëboje nga përdorimi i shumtë: Mendje, mendje kjo dynja. Në fakt, arkëtarja kishte të drejtë: “Fëmija trevjeçar i rrëmbyer nga gjyshërit i duhet kthyer mamasë jo vetëm se kështu e do ligji, jo vetëm se nënës i dhemb më shumë, por edhe se në atë moshë, asgjë nuk ia zëvendëson dot ngrohtësinë dhe përkujdesjen amtare”.

Historia rreth të cilës po bisedonim dhe që këto ditë po shfaqet si seriali i radhës në media e portale, është sa e dhimbshme, aq edhe primitive. Para një viti, babai i vogëlushit dhe djalë i gjyshërve rrëmbyes ka vdekur aksidentalisht. Tani duket se mes nënës së re dhe gjyshërve ka filluar ndeshja se kujt i takon vogëlushi. Me Kanun u takon linjës prindërve të të vdekurit. Me ligj i takon nënës. Me njerëzillëk…, hë pra me njerëzillëk kujt i takon?

Ikja e një djali të ri është e dhimbshme për prindërit, por edhe për bashkëshorten. Vogëlushi është i mitur dhe njeriu e ka të vështirë ta dijë sesi e percepton mungesën e të atit. Por një gjë është e sigurt: boshllëku që ka lenë ikja e babait do rëndojë fuqishëm në formimin e vogëlushit. Në çdo shoqëri normale, nëna dhe gjyshërit, sado mërira e mospëlqime të kishin, do bashkëpunonin të paktën në segmentin që ka të bëjë me vogëlushin, për t’ia bërë më të lehtë mungesën e babait e për ta ndihmuar të ndihet sa më normal e i përmbushur.

Lufta “kujt i takon fëmija, gjyshërve apo nënës” ngjan sikur bëhet për vogëlushin, duket sikur të dyja palët digjen nga dashuria për të, por në thelb e vret të miturin në kuptimin literal të fjalës: nuk e sheh si njeri, por si pronë, si mall që trajtohet pa mall e dashuri.

Para ngjarjesh të tilla edhe një herë i thua vetes se një pjesë e shoqërisë sonë di të dojë e të urrejë, por nuk di të hyjë në galloshet e tjetrit, nuk di ta vërë veten në vendin e tjetrit, të mendojë e të ndjejë si ai. Me një fjalë, jemi pjekur hënajashtë me empatinë.

Thënë të gjitha këto, ndruaj se të bësh tifozllëk rreth dilemës “fëmija i takon nënës apo gjyshërve?”, e thjeshton dukurinë dhe gjynah mos paça, po e sheh fëmijën si qenie pasive, që i takon këtij apo atij dhe po ta gërmosh këtë dilemë një çikë më thellë, mund të gjesh që fqinjëron me konceptet kanunore ‘lisi i gjakut apo lisi i qumështit’.

Me gjasë shumë prej nesh nuk janë çliruar akoma nga mentaliteti patriarkal që i sheh fëmijët si objekt të dashurisë, përkujdesjes, moralit dhe edukimit që ua sigurojnë të rriturit, të përzgjedhura e të paketuara, kurse të vegjlit s’kanë detyrë tjetër, veçse t’i përthithin sa më mirë. Harrojmë se, ashtu të vegjël e të pakultivuar akoma, fëmijët janë subjekte që ndjejnë, mendojnë e reflektojnë, subjekte me të cilët duhet të bashkëveprosh e të negociosh, se vetëm kështu rriten e vetëpërmbushen.

Për sa i përket dilemës: i takon nënës apo gjyshërve, përgjigja nuk gjendet në aksin… ose… ose…, po në atë… edhe… edhe. Duke respektuar hierarkinë që sugjeron biologjia dhe kultura, fëmija u takon të dyja palëve, nënës më shumë e gjyshërve shumë, ashtu siç u takon e do t’u takojë edhe të afërmve, shokëve, fqinjëve. Vetëm në marrje e dhënie normale e humane me të gjithë ata që e rrethojnë fëmija rritet e zhvillohet, bëhet njeri i kompletuar e jo ekzistencë e handakosur.

Historia njeh raste të fëmijëve ujq, fëmijë që në një rrethanë a tjetrën kanë humbur në pyll dhe i ka rritur ujkonja. Pas vitesh jetese me ujqit, kur hera e sjell që këta fëmijë të kthehen në shoqërinë njerëzore, e kanë vështirë të bëhen njerëz tamam, madje dhe gjuhën nuk e flasin dot normalisht, mësojnë e thonë fjalë, por gramatikën e kanë thuajse të pamundur ta nxënë. Ujkonja mund ta zëvendësojë nënën dhe të sigurojë mbijetesën e këtyre fëmijëve, por nuk mund të zëvendësojë rolin e shoqërisë, kulturës dhe gjithë elementëve të tjerë që e bëjnë njeriun njeri./Panorama/

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ermal: 20/04/2024 21:32

    Po marr shkas permendjen e kanunit nga autori si motiv i mundshem pse gjysherit kane menduar te rrembejne nipin e tyre nga nena. Kush e ka shkruar kanunin qartesisht ka qene nje injorant i prapambetur dhe kanuni nuk ka fare pse te merret seriozisht nga asnje ne ditet e sotme. C'eshte ky budallek, "lisi i gjakut" e "lisi i qumeshtit". Pse njerezit nga ana e babait qenkan me te rendesishem edhe se sa vete nena? A thua se femija merrka "gjakun" (gjenet) vetem nga babai kurse nena ketu shihet me teper si nje surrogate. Shkenca thote qe femija mashkull merr me shume nga nena dhe instinkti i nenes eshte nje nga ndjenjat me te fuqishme ne natyre. Ata qe mendojne se mund te ndajne kollaj femijen nga nena luajne me zjarrin. E perseris, ai qe ka shkruar kanunin ka qene nje njeri primitiv pa koncepte shkencore, misogjen dhe me ndjeshmeri te ulet per ceshtje themelore te natyres njerezore dhe ata qe vazhdojne me kanunin nuk kane per tu bere ndonjehere me te mire se ai. Mjaft me me kanunin!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?