Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së Haoliang Xu

Politikë

Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së Haoliang Xu viziton nesër Shqipërinë, takim me Ramën dhe anëtarë të kabinetit qeveritar

5 Tetor, 20:49| Përditesimi: 5 Tetor, 21:00

  • Share

Nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe Administratori në Detyrë i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu, nis nesër një vizitë 2-ditore të nivelit të lartë në Shqipëri (6-7 Tetor 2025).

Në fokus të vizitës është forcimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe UNDP-së dhe për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ).

Gjatë vizitës së tij, Xu do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, si dhe me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë të zhvillimit në Shqipëri. Diskutimet do të fokusohen në përpjekjet e Shqipërisë për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pjesë e agjendës është një vizitë e përbashkët me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro dhe Ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, e cila është rindërtuar nga e para në kuadër të projektit EU4Schools, të financuar nga BE-ja dhe zbatuar nga UNDP. Deri tani, ky projekt ka riparuar dhe rindërtuar 62 nga 63 objekte arsimore, të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, duke garantuar mjedise të sigurta dhe moderne mësimore për mijëra nxënës dhe mësues.

Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt e negociatave dhe po vazhdon rrugën e saj të reformave. Programet e UNDP-së mbështesin përafrimin e Shqipërisë me acquis të BE-së në sektorë të qeverisjes, drejtësisë, veprimit klimatik, energjisë, mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të fatkeqësive.

Gjatë vizitës, Xu do të ketë takime me partnerët ndërkombëtarë të UNDP-së për të forcuar bashkëpunimin në mobilizimin e financimeve për OZHQ-të, nxitjen e rritjes gjithëpërfshirëse ekonomike dhe rritjen e qëndrueshmërisë mjedisore.

Partneriteti i UNDP-së me Shqipërinë fokusohet në katër fusha prioritare: Gjithëpërfshirja sociale dhe të drejtat e njeriut, fuqizimi ekonomik, mjedisi dhe qëndrueshmëria klimatike, qeverisja dhe sundimi i ligjit.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?