Nënsekretarja amerikane e Shtetit në Kosovë: Krijoni asociacionin, hap thelbësor në rrugëtimin euroatlantik

19 Maj, 12:02| Përditesimi: 19 Maj, 15:31

  • Share

Nga Prishtina, nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen e konsideroi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si hap thelbësor për integrimin e Kosovës.

“Mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euro-atlantike, përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe e di se kjo është me rëndësi për ju. Diskutuam për hapin thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Allen.

Bërja e hapave drejt Asociacionit ka qenë kusht për Kosovën edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Pas takimit, Osmani dhe Allen nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi SHBA-Kosovë kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Osmani tha se vizita e zyrtares Allen simbolizon partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara.

“Në dritë të zhvillimeve dhe dinamikave globale, padyshim se sfidat shtohen. Mirëpo, bashkëpunimi ynë është materializuar në mënyra të jashtëzakonshme”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se marrëveshja e saponënshkruar do të ndihmojë në bashkim të forcave kundër manipulimit të informacionit, duke vlerësuar që fushatat dezinfomese paraqesin kërcënim të madh për stabilitetin e Kosovës dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përmendur edhe rrezikun nga sulmet kibernetike.

“Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme, të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon, nëpërmjet satelitit të saj Serbisë. Kjo, jo vetëm që është shqetësuese, por paraqet kërcënim aktiv për destabilizim të rajonit tonë”, vijoi Osmani. 

Allen ka qenë për vizitë edhe në Serbi më 15 maj, ku është takuar me presidentin Aleksandër Vuçiç të cilit i ka theksuar rëndësinë e përparimit në dialogun me Kosovën.

Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se zgjidhja e të gjitha problemeve mes dy vendeve, është faktor tejet i rëndësishëm për rrugën e tyre evropiane.

Liz Allen dhe Vjosa Osmani

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?