Emetimi i kartëmonedhave të reja prodhuar me teknologjinë më të fundit dhe me elementë të lartë sigurie, ka shënuar një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara.
“Për vitin 2022 numri total është vetëm 343 copë, kundrejt një gjendjeje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157.5 milionë copësh ose 2.2 copë kartëmonedha të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, kundrejt 5.4 në vitin 2021. …. 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të papërfillshme, me vetëm 79 copë, në vitin 2022, kundrejt 250 milionë copë monedhash në qarkullim”- tha Sejko.
Banka e Shqipërisë, Policia dhe Prokuroria thelluan bashkëpunimin institucional në frenimin e falsifikimit të kartëmonedhave, jo vetëm të lekut por edhe të monedhës europiane, Euro. Marrëveshja u firmos nga guvernatori i BSH Gent Sejko, ministri I Brendshëm Bledi Çuçi dhe prokurori i Përgjithshëm Olsjan Cela.
“Palët e angazhuara në këtë marrëveshje marrin përsipër të transmetojnë/transferojnë mostra të kartëmonedhave dhe monedhave të dyshuara dhe, nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë angazhohet të centralizojë ekspertizën dhe klasifikimin e mostrave të monedhave kombëtare apo të huaja të zbuluara në qarkullim, si dhe ato gjatë procedimit penal..”.- vijoi Sejko.
Nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes, Banka e Shqipërisë përmbush dhe një nga rekomandimet e Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi në përqasje me standardet evropiane.
Treguesi i ulët i kartëmonedhave shqiptare të falsifikuara kundrejt atyre në qarkullim, e rendit Shqipërinë ndër vendet me treguesin më të ulët të kartëmonedhave të falsifikuara.