Nënshkruhet marrëveshja e Bashkëpunimit për forcimin e kuadrit të Shqipërisë për zhvillimin e parqeve eko-industriale. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja si dhe Javier Suarez, menaxher Këshillimi për Shtetet dhe Ekonomitë e Evropës në IFC.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një hap kyç në zhvillimin e politikave dhe kuadrit rregullator të nevojshëm për të mundësuar transformimin e qëndrueshëm të zonave industriale në Shqipëri, në përputhje me standardet mjedisore të BE-së dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e tij, ministri Gonxhja tha se projekti financohet nga Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor, WBIF, i financuar nga BE dhe do të zbatohet nga IFC. Projekti do të mbështetet në tre komponentë: përmirësimi i kornizave rregullatorë, forcimin e kapaciteteve të këtyre parqeve, dhe përfshirjen e kapitalit privat.
Gonxhja u shpreh se projekti pritet të zgjasë deri në vitin 2027, dhe parashikon një buxhet prej 600 mijë eurosh.
“Kjo përfshin edhe përmirësimin e parqeve industriale ekzistuese dhe zhvillimin e parqeve të reja për të promovuar praktikat e qëndrueshme. Projekti financohet nga kuadri i investimit të Ballkanin Perëndimor, ËBIF, i financuar nga BE dhe do të zbatohet nga IFC, pjesë e grupit të Bankës Botërore. Në kuadër të projektit të parqeve industriale në Shqipëri, IFC ka propozuar që ta kthejmë në format bashkëpunimi me ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për të përfshirë tre komponentë kryesore. E para, përmirësimi i kornizave rregullatore dhe politike, integrimi i kornizës ndërkombëtare të parqeve eko industriale për të zgjeruar konceptin e tyre në vendin tonë. I dyti, forcimi i kapaciteteve i këtyre parqeve që synojnë në kalimin në konceptin sa më të parë të parqeve që janë ekzistuese përmes fillimit të një pilotimi përmes këtij projekti. I treti është aktivizimi sa më energjik i kapitalit privat që implementojmë teknologji të reja, forcimin e teknologjisë ekzistuese aty ku jemi.”, u shpreh Gonxhja.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato tha se këto parqe industriale mbështesin investimet, zhvillimin e ekonomisë dhe të biznesit. Qëllimi, tha ambasadori, është përmirësimi i klimës së biznesit në vend. Ai foli gjithashtu edhe për thirrjen që i është bërë sektorit privat që të investojë në Ballkanin Perëndimor.
“Plani i rritjes do të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda 10 vjeçarit duke përmirësuar bashkëpunimin ekonomik dhe duke sjellë përmirësime në standardet ekonomike dhe duke pasur konvergjencë me BE dhe duke rritur financimet. Në bazë të ritmit dhe thellësisë së reformave, Shqipëria mund të përfitojë nga thuajse 1 mld euro për të ecur përpara. Objektivi i BE është të stimulojë investimet dhe klimën e zhvillimit jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon. Thirrje edhe sektorit privat që të investojë, duam që të marrim investimet e tyre dhe prandaj parqet eko-industriale janë element i rëndësishëm. Këto parqe eko industriale mbështesin investimet, zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit dhe kalimin në kalime më të mira dhe miqësore ndaj mjedisit.”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Suarez deklaroi se këto parqe janë më shumë sesa një përpjekje mjedisore.
“Bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona dhe vizion afatgjatë për industri më të pastra, efikase dhe më konkurruese. Parqet eko-industriale janë nismë që do të ketë mbështetjen e IFC dhe BE. Do të ndihmojmë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, për uljen e kostove dhe ndihmojmë bizneset. Ne do të japim asistencën tonë me këtë partneritet strategjik. Këto parqet janë më shumë se një përpjekje mjedisore, ndihmojnë në krijimin e vendeve të punës dhe zinxhirët e duhur të ofertës. Ne po mbështesim të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për të krijuar hapësirën e duhur të investimeve.”, u shpreh ai.
Komente
