Banka e Shqipërisë nënshkroi sot (10 janar 2025) marrëveshjen e bashkëpunimit me Bankën e Italisë dhe tri banka qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e një sistemi pagesash të shpejta.
Me anë të një njoftimi për shtyp, BSH, bën të ditur s në ambientet e “Pallatit Koch” në Bankën e Italisë, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mbi nisjen e projektit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë ceremoni morën pjesë Guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta, dhe zëvendësguvernatorja, Chiara Scotti, së bashku me guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Marrëveshja e bashkëpunimit parashikon që Banka e Italisë të ofrojë një sistem pagesash të shpejta të bazuar në një kopje të shërbimit TIPS, e cila është platforma evropiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale, e projektuar, krijuar dhe administruar nga Banka e Italisë në emër të Eurosistemit. Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, i janë bashkuar kësaj iniciative, e cila është miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE). (Maqedonia e Veriut ruan të drejtën për t’ju bashkuar kësaj iniciative në një datë të mëvonshme).
Platforma e re, e cila do të jetë funksionale brenda 18 muajve nga nisja e punës – e planifikuar për javët e ardhshme – do të mundësojë kryerjen e pagesave në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse. Menjëherë pas nisjes së fazës së zbatimit, do të zhvillohen dhe funksione të tjera. Gjithashtu, platforma do të krijojë një lidhje dypalëshe për shlyerjen e pagesave midis zonës gjeografike ku TIPS operon dhe zonës së Ballkanit Perëndimor, duke përdorur një zgjidhje teknologjikisht të përparuar dhe me kosto të ulëta.
Nënshkrimi i marrëveshjes është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me sistemin financiar të Bashkimit Evropian.