Nensi Dojaka është shqiptarja që për herë të parë i bashkohet shtëpisë prestigjoze të modës Louis Vuitton. Të jesh pjesë e 20 stilistëve më të mirë në mbarë botën dhe sidomos në këtë markë botërore është padyshim një mundësi e rrallë.
27 vjeçarja, Nensi Dojaka jeton në Londër dhe me koleksionin e saj të modës ka arritur të shkojë në gjysmë finalen e ‘LVMH Prize’. Koleksioni do të vlerësohet nga ekspertëve më të famshëm të modës dhe për herë të parë do të përfshihen edhe votat nga publiku, pasi sfilada do të mbhet online për shkak të rregullave anti-COVID.
Çmimi i LVMH për stilistët e rinj ka tërhequr më shumë se 1900 aplikantë nga mbarë bota. Prej tyre janë përzgjedhur 20 stilistë të rinj nga Kina, Franca, Italia, Japonia, Libani, Nigeria, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA. Për herë të parë në këtë edicion është përzgjedhur një stilist nga Kolumbia dhe një vajzë nga Shqipëria.
Nga data 6 deri më 11 Prill 2021 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia ky edicion do të mbahet online në faqen e dedikuar lvmhprize.com, ku janë publikuar edhe koleksionet e reja.
Koleksioni i shqiptares së talentuar, Nensi Dojaka renditet i 12-ti , ku ju mund të jepni edhe votën tuaj për të mbështetur stilisten shqiptare.