Nëntë anijet e Flotiljes së Lirisë që po drejtohej për në Gaza u kapën nga Izraeli, afërsisht 120 milje detare nga enklava. Sipas udhëheqësve të misionit, forcat izraelite iu prenë komunikimet dhe u përpoqën tu devijonin anijet. Në bord ndodhen afërsisht 250 punonjës mjekësorë.
Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi ndalimin e anijeve, të cilat janë transferuar në një port izraelit. Në deklaratë, ministria konfirmoi se ekuipazhi është në gjendje të mirë dhe se të gjithë do të dëbohen.
"Një tjetër përpjekje e kotë për të shkelur bllokadën ligjore detare dhe për të hyrë në një zonë luftimi nuk ka përfunduar asgjë. Anijet dhe pasagjerët janë transferuar në një port izraelit. Të gjithë pasagjerët janë mirë dhe të sigurt. Pritet që ata të dëbohen së shpejti”, thuhet në deklaratën e publikuar në X.
Misioni humanitar u nis nga porti i Otrantos më 30 shtator. Flotilja përbëhet nga nëntë anije, përfshirë anijen Conscience, përgjegjëse për transportin parësor të furnizimeve mjekësore. Në bord janë afërsisht 250 mjekë dhe infermierë nga vende të ndryshme, me qëllim ofrimin e kujdesit mjekësor për popullsinë civile palestineze.
Iniciativa është pjesë e aktiviteteve të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, i cili është përfshirë tashmë në përpjekjet e mëparshme për të dërguar ndihma nga deti në Gaza. Sipas organizatorëve, zona e lundrimit është afër zonës ku, në të kaluarën, misione të ngjashme i janë nënshtruar ndërhyrjes ushtarake izraelite. Objektivi i deklaruar është të ofrohet ndihmë humanitare në mënyrë paqësore, duke anashkaluar bllokadën detare të vendosur në territor.
Komente
