Fshati Nepravishtë, Libohovë 20 kilometra nga Gjirokastra vitet e fundit është kthyer në një destinacion i ri për vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Nepravishta duke ftuar të gjithë ta vizitojnë Nepravishtën e cilësuar si atraksioni unik i Libohovës me natyrë të mrekullueshme, mikpritje të ngrohtë dhe autentike.
“Mirëmëngjes dhe nga Nepravishta, atraksioni unik i Libohovës me natyrë të mrekullueshme, mikpritje të ngrohtë dhe autentike, fshati i dytë që i bashkohet aplikimit të Shqipërisë në programin "Fshatrat më të mirë turistikë" nga Organizata Botërore e Turizmit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Në këtë fshat ka disa monumente kulture, si Kalaja e Melanit, Ujësjellësi në Teqenë e Melanit, Kisha Paleokristiane e Manastareqit, Teqeja e Melanit që mendohet se është një zgjatim i qytetit antik ilir të Antigonesë ose i ngritur në gjurmët e një qyteti ende të panjohur ilir.
Gjithashtu pranë fshatit Nepravishtë ndodhet Burimi i Nepravishtës ose Vrizit, një burim karstik me ujë të pastër dhe të ftohtë që krijon një mjedis mjaft tërheqës për turistët. Ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, kulturore, didaktike, turistike dhe është monument natyre.
Komente
