Premiera Vagoni është shfaqur këtë të mërkurë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Kjo premierë ka zbuluar në skenë dramën e njeriut të vetmuar në rrethana tranzicioni.
E realizur me ekip profesionistësh nga Tirana dhe Prishtina dhe me lojën e dy aktorëve Neritan Liçaj dhe Altea Alushi, shfaqja ka mbajtur pezull vëmendjen e publikut për më shumë se një orë.
Ngjarjet në skenë sillen rreth një vagoni simbolik që thërmon grimca kujtese e dramash shpirtërore.
Aktori i Neritan Liçaj ka luajtur mjeshtërisht dramën e kultit të individit në relacionet familjare. Sipas tij kjo është dramë filozofike që rrugëton nëpër binarët e lidhjes së popujve të rajonit ballkanik.
"Rol që e kam punuar jashtëzakonisht me shumë qejf. I flet realiteteve tona, që kam ndjerë pranë. Duhet ta thotë publiku sa ja kam qëlluar, por e kam punuar me shumë qejf"-tha Liçaj.
Altea Alushi edhe pse vetëm 22 vjeç ka mbartur bukur rolin duke e prekur zemrën e publikut.
“Çdo i ri i ka këto halle, ka luftën mes brezave me prindërit e tij. Ngërçi ishte në profesionalizëm, në përballje me një figurë si Neritani. Kemi punuar fort, këto janë rezultatet, uroj t'ju ketë pëlqyer. Që ditën e parë që kam lexuar tekstin, kam qarë.”- tha Altea Alushi për Report Tv.
Autor dhe regjisor i dramës “Vagoni” është Naser Shatrolli nga Kosova, asistentët regjisorë janë Anxhela Gaxhazi dhe Drinor Zymberi.
Skenografia dhe kostumografia janë realizuar përkatësisht nga Mentor Berisha dhe Laedia Hajdari.