Nëse duam, e kemi forcën t’i izolojmë denigruesit e kujtdo! Mund ta bënim dhe me nënën e vetëflijuar, por nuk e bëmë

5 Janar, 19:33| Përditesimi: 5 Janar, 19:37

  • Share

Shtëpia e vogël në fshatin Vardallë të Sukthit, për më shumë se një vit po përjetonte një dhimbje të madhe. Më saktë, gruaja, nëna, bashkëshortja, punëtorja e fazonerisë, 41 vjeçarja që i dha fund jetës sepse, siç thonë të afërmit e saj më të afërt, “ndihej e turpëruar nga një denigrim i vazhdueshëm në rrjete sociale me etiketime të ndryshme”, bërë nga njerëz që ata vetë i kanë identifikuar.

Dikush me të drejtë ia drejton gishtin policisë, Shtetit, që është treguar i paaftë të mbrojë një grua, me indiferencën e zakonshme ndaj përmasave dhe ngjarjeve të tilla: “Punë Tik-Toku!, Punë Facebook-u!” apo më keq “punë grash”, ose siç thuhej dikur “punë gazetash”, “punë televizionesh”!

Por, në të vërtetë, nuk ka Shtet, nuk ka polic, nuk ka familje që mund të mbrojë nga urrejtja, kur ajo nis e zmadhohet si një ortek që ka peshën gjithnjë e më gjigande sa më e vogël të jetë lagjja, sa më i vogël e i izoluar fshati, qyteti, vendi e sa më i madh kurioziteti i sëmurë. Pesha e ofendimeve, shpifjeve, sharjeve, manipulimeve, intrigave, është shumë më e rëndë sa më e ngushtë të jetë provinca e cila ndonjëherë prodhon ego gjigande që ushqehen me thashethemet e kafeneve, grupimeve klanore primitive, e kalojnë direkt lehtësisht on line.

Po si shpëtohet nga kjo grackë sociale? Kush e ka çelësin në dorë? A do të shpëtonin fëmijë, vajza, nëna, gra nëse në çdo shtëpi, do të kishte një ruajtës nga urryesit patologjikë? Teknikisht mundësitë janë dhe policia dhe strukturat shtetërore i kanë të gjitha mjetet të identifikojë urryesit edhe të fshehur në anonim, por nuk e ka bërë.

Është e pamundur të sigurohet një mbrojtje totale, ndërsa një mbrojtje e mirë mund të jepet nga ne të gjithë: Duke izoluar sharësit, urrejtësit, shpifësit, denigruesit! Askush nuk ka as më të voglën të drejtë të dhunojë sistematikisht askënd! Është e lehtë për secilin prej nesh të mos lejojmë askënd të denigrojë dy herë të njëjtin person kur ai nuk është prezent, kur nuk mund të mbrohet. A ua keni thënë në sy këtyre tipave: Mjaft?! A iu keni kthyer kurrizin kur këta urryes serialë ju kanë folur keq për këtë, pastaj për atë, pastaj për atë tjetrin dhe nëse ju nuk bëheni “bashkëpunëtorë” në sharje e denigrime ju kanë sulmuar dhe ju?

Në këtë pikë nis trimëria e të gjithëve, nëse trimëri mes nesh ende ka: Izolojini urryesit! Mos ushqeni egon e sëmurë që i karakterizon. Do ta vazhdojnë zanatin e tyre edhe për ca kohë, disa, edhe për shumë kohë; të tjerë, deri në vdekje, por injorimi i tyre nga secili prej nesh do të thotë se kemi bërë një shoqëri të qytetëruar, ku shpifja, urrejtja, manipulimi, thahen, zhduken, ndërojnë apo nuk gjejnë vend! Dhe siç populli ynë e thotë me mençuri: uthulla e thartë gërryen enën e vet. Nëse veprojmë të gjithë, kjo gjë do të ndodhë si mrekulli!

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dakord: 06/01/2024 10:29

    Po çfarë të themi ne moj zonjë kur për të ndjerën më shumë rëndësi kishte "nderi" në tik tok sesa 4 fëmijët e saj???

    Përgjigju
  • sapa: 06/01/2024 07:38

    Jo nese duam!Shumica e kesaj shoqerie eshte e degraduar keshtu qe nje pakice e mire nuk mund te vere ne binare nje shumice te ndyre!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?