Kandidati për kryeministër i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse Albin Kurti sërish bëhet kryeministër i vendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk do të jetë pozitive për raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një emision televiziv, ai ka deklaruar se Amerika mund të largojë çdo mburojë që ka për Kosovën.
“Nuk kam qejf asnjëherë të jap lajmin e keq dhe besoni jam duke e zbutur. Ekziston rreziku real i heqjes së çdo lloj mburoje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Këtë po e them se jo që kam qejf, dhe jo se kam ardhë në atë pikë që me këtë të fitojë vota. Por është rrezik real, por është rrezik real të na hiqet çdo mburojë nga Amerika nëse ky njeri zgjidhet”, tha Haradinaj në Klankosova.
Për Ramush Haradinajn deklaratat e emisarit të Donald trump për misionet speciale Grenell ndaj qeverisë së Kosovës janë shumë serioze dhe se vendi rrezikon. Haradinaj tha se e Grenell, tregon me saktësi gjendjen e raporteve Kosovë - ShBA.
“Kjo që tha Z. Grenell prapë është një gjuhë e butë, gjendja është edhe më keq, situata dhe marrëdhëniet e tona me Amerikën janë në fazë më të rrezikshme se sa e thotë ky qëndrim. Edhe pse ky është i prerë dhe po e sqaron në saktësi gjendjen, prapë besoni se ai nuk ka kërcënuar se çfarë i ndodh Kosovës nëse e mbështetni këtë, por ka thënë mos u mashtroni, mos i besoni sepse i ka sjellë marrëdhëniet në një fazë të keqe”, tha Haradinaj.
Kosova zhvillon zgjedhjet parlamentare këtë të dielë, ku Albin Kurti në qeveri ka vendosur si objektiv fitoren e Vetëvendosjes me rreth 500 mijë vota.
Ramush Haradinaj, i referohet deklaratave të bëra nga i dërguari i SHBA-së për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i cili sulmoi qeverinë e Albin Kurtiti. Grenell më (3 shkurt 2025) u shpreh se qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, po ashtu as gjatë mandatit të Joe Biden.
Kjo është herë e parë që i Dërguari i SHBA-së për Misione të Posaçme ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj qeverisë Kurti në Kosovë, që kur presidenti Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Më 22 janar, Grenell reagoi lidhur me ankesën e nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës, i cili ishte shprehur se gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, Kosova ka pësuar disavantazh përballë Serbisë. Grenell replikoi duke thënë se përse partia në pushtet në Prishtinë nuk është ankuar më parë për disavantazhin që administrata Biden i ka shkaktuar vendit, në dialogun me Beogradin.