Ditën e sotme besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët. Ndërkohë, në vigjilje të Pashkëve, duke filluar nga ora 23:00 nisi mesha në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet. Pashkët janë festa më e rëndësishme në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit. Kjo meshë në Katedralen e Tiranës është e para në mesnatë pas 2 vitesh mungesë për shkak të orës policore prej pandemisë. 2 vitet e kaluara mesha është kremtuar orët e pasdites.
Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Në krishterimin perëndimor, Sezoni i Pashkëve, fillon të dielën e Pashkëve dhe zgjat shtatë javë, duke i dhënë fund me ardhjen e ditës pesëdhjetë.
Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi Metropolit Tiranë Durrës ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për Pashkët. Teska përmendi tërmetin, pandeminë dhe luftën, ai bëri thirrje për të dashur edhe më shumë jetën në këto kohë të vështira. Imzot Arjan Dodaj kërkoi triumfin e dritës duke ia adresuar mesazhin e tij qartësisht plagës së madhe të shoqërisë sonë.
Figurat e para politike që kanë uruar Pashkët, ishin kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta. Mesazhin e saj për besimtarët katolikë të vendit e dha edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
“Ku ka urrejtje, të lulëzojë harmonia”, ky ishte urimi i Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.
Në Katedralen e Shën Palit ka nisur kremtimi i Pashkëve nga besimtarët katolikë. Kjo është mesha e parë që zhvillohet në mesnatë pas 2 vitesh nën "presionin" e pandemisë së COVID-19.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, uron besimtarët katolikë me rastin e Pashkëve.
Në urimin e saj Nikolla, shprehet se festa e Pashkëve është një festival besimi e lumturie për të gjithë besimtarët katolikë.
“Në vend të urrejtjes të lulëzojë harmonia, në vend të dëshpërimit, shpresa!
Festa e Pashkëve është një festival besimi e lumturie për të gjithë besimtarët katolikë.
Gëzimi i kësaj feste na frymëzon të besojmë e punojmë që atje ku ka urrejtje, të lulëzojë harmonia; atje ku ka errësirë, të ndriçojë drita.
Atje ku ka dëshpërim, të lindë shpresa; atje ku ka vuajtje, të lehtësojmë dhimbjen; atje ku ka varfëri, të krijojmë mirëqenie.
Gëzuar Pashkët!”, shprehet kryeparlamentarja.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka uruar të gjithë besimtarët katolikë në vigjiljen e Pashkëve.
“Pashkë të bekuara dhe të gëzuara për çdo familje shqiptare! Krishti i Ringjallur është siguri se shpresa nuk vdes kurrë, se gjithmonë mund të rinisim, e me dashuri në zemër mund të krijojmë një botë e të ardhme më të mirë.”, shkruan Kryemadhi.
Në Vigjiljen e Pashkëve, presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolikë.
Sipas tij ngjallja e Krishtit, që kremtojmë së bashku, shpall fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen dhe të shpresës mbi dëshpërimin.
“Në vigjilje të Pashkës së Madhe u përcjell besimtarëve të krishterë katolikë e ungjillorë dhe të gjithë popullit shqiptar urimet më të përzemërta, për sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje!
Ngjallja e Krishtit, që kremtojmë së bashku, shpall fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen dhe të shpresës mbi dëshpërimin.
Festa frymëzuese e Pashkës na fton për të mos harruar sakrificat e Krishtit për ne, për të dëshmuar me vepra shembullin e jetës së Tij, çdo ditë, duke qenë në shërbim dhe me përulësi pranë njerëzve në nevojë dhe për të mbajtur pranë zemrave tona këdo që vuan.
Misioni i Krishtit ishte të na mësojë dhe të na tregojë rrugën e dashurisë ngadhënjyese, për të mos u dorëzuar tek materializmi dhe konsumizmi.
Le të shërbejë ky shembull për të gjithë ne!
Për të ndërtuar një Shqipëri më të dashur dhe më të dhembshur, ku të ekzistojnë të gjitha hapësirat për një të ardhme të sigurt. Në këtë mënyrë do të ndalim shpopullimin dhe në veçanti largimin e të rinjve.
Sonte është koha për t'u gëzuar dhe për të falënderuar Zotin duke shpallur: KRISHTI U NGJALL! ME TË VËRTETË U NGJALL!
NGA MOT GËZUAR PASHKËN!”, shkruan Meta.
Në vigjilje të Pashkëve katolike Kryeministri Rama ka zgjedhur të urojë me një mesazh në një postim në rrjetin social Facebook.
“Vigjilja e Pashkëve është vigjilja e rilindjes së jetës, dashurisë dhe shpresës”, ka shkruar Rama duke i konsideruar si fjalët e muajit.