Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave që do të ndërmerren ditën e nesërme gjatë ndeshjes Tirana-Partizani. Perimetri i sigurisë do të jetë më i gjerë sesa ambientet e stadiumit.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania”, bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga Presidenca deri te sheshi "Nënë Tereza".
Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga sheshi "Skënderbej", bulevardi "Dëshmorët e Kombit, rruga "Bajram Curri", ETC, Rruga "Papa Gjon Pali II", COIN - stadium;
– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës "Muhamet Gjollesha" me rrugën "Artan Lenja", përgjatë rrugës "Muhamet Gjollesha", rruga "Sulejman Delvina", “Libri Universitar”, pas Presidencës, sheshi "Frederik Shopen", shkallët e universitetit, MAK Albania - stadium.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.
Policia bën me dije se, do të ushtrohen kontrolle rigoroze ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pavarsisht se mund të jenë të pajisur me bileta, nuk do të lejohen pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).
Lajmi kryesor:
Derbi të dielën, trajneri i Tiranës: Llogarisim vetëm 3 pikët! Java e 15 nis me fitoren e pastër të Egnatias, thyhet Vllaznia
B.V/ReportTv.al