DURRËS- Brenda Krishtlindjeve familjet e prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit në Thumanë do të kenë një arsye më shumë për të festuar sepse në ndryshim nga vitet e kaluara ata do t'i festojnë festat në shtëpitë e tyre të reja. Pas dy-tre ditësh do të nisë shpërndarja e apartamenteve, ku gjatë vizitës në lagjen e rindërtuar kryeministri Edi Rama tha se do të përfitojnë 433 familje.
Pas shpërndarjes së banesave, Rama dha premtimin se do të rikthehet për të festuar ssëbashku me familjet festën e Krishtlindjeve. Përveç lagjes së rehabilituar në Thumanë , kreu i qeverisë bëri me dije se do të punohet edhe për shtimin e hapësirave për fëmijët, projekt që do të përfundojë më 1 qershor, në kuadër të festës së fëmijëve.
"Në dy tre ditët në vijim njerëzit do fillojë të hyjnë në apartamente dhe më pas në shtëpitë individuale me ambicien që në prag të krishtlindjeve të kthehemi për një festë të madhe dhe të ndezim edhe pemën e ullirit dhe begatisë që do të vendoset mu në majë, që do kthehet në një simbol të kësaj lagjeje.
Janë 433 familje që rikthehen në kushte fantastike, këto pallate i takojnë standardit të lartë të atyre pallate që blihen më të kamurit në Tiranë, janë falas që do të thotë nuk kanë asnjë barrë të asnjë lloj detyrimi financiar, por ta mirëmbajnë këtë mjedis kaq të bukur, të kujdesen dhe ndërkohë bashkia e Krujës do të vazhdojë me ne edhe një punë me disa detaje më të vogla për t'i dhënë hapësira fëmijëve, që materializohet në 1 qershorin e ardhshëm, ditën e fëmijëve", tha Rama.
Ashtu siç është bërë me dije në Programin për Strategjinë Kombëtare të Rinisë, kryeministri Rama tha se për nxënësit do të ngrihen hapësirat passhkollore për të zhvilluar artin, zejet si edhe teknologjinë.
"Duam që Thumana të kthehet në destinacion, kemi një liqen që do e adresojmë si aset, do kishte shumë familje që do donin të vinin këtu, që fatkeqësisht nuk i kanë shumë lagje në mes të Tiranës. Me drejtorinë arsimore do bëjmë të mundur krijimin disa hapësirave passhkollre, për artet, zejet, teknologjinë, me kurse që fëmijët e Thumanës të kenë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre dhe një pjesë prej tyre të futen ne tregun global të teknologjisë", u shpreh kryeministri.
Duke iu drejtuar të gjithëve atyre që ikin nga Shqipëria me pretendimin se nuk ka punë, Ramën tha se sfida e tërmetit u kthye edhe në një mundësi të madhe, pasi krijoi 27 mijë vende pune për qytetarët.
"Ajo që doja të shtoja është se ky proces ka qenë një histori suksesi i kthimit të një krize të madhe në një mundësi të madhe. Janë angazhuar 27 mijë forca pune, kjo për t'iu thënë atyre që thonë s'kanë punë dhe kanë ikur. Janë përfshirë në këtë proces të gjithë forcat projektuese zbatuese të vendit, janë realizuar projekte me çmime rekord, falë konkurrencës që është garantuar për të gjithë. Dua të shtoj edhe faktin që në këtë proces ne kemi pasur në mes një ndërhyrje shumë brutale nga pandemia do kishim mbaruar më shpejt, patëm disa muaj bllokimesh të disa proceseve", tha kreu i qeverisë.
I pranishëm ishte edhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i cili tha se bonusin e qirasë e kanë përfituar 40 mijë familje që shtëpitë e tyre iu dëmtuan nga tërmeti. Ahmetaj tha se janë vetëm 157 familje në çadra, por bonusin e marrin edhe përse kanë refuzar të shkojë në banesa me qira.
"Sot qytetarët do marrin shtëpi falas, më të mira më të mëdha më të forta më të bukura. Rindërtimi testoi këtë maxhorancë, kryeminsitrin, të gjithë në, testoi solidaritetin shqiptar përballë një fatkeqësie. Ato familje që u dëmtuan janë mbi 12 mijë apartamente, do marrin shtëpi falas ta gëzojnë brez pas brezi. Në 11 bashki janë mbi 40 mijë familje që përfitojnë që nga bonusi i qirasë nuk lamë askënd mbrapa. Sot janë në çadra për arsye se kanë vendosur të rrinë aty për shkak të afrisë me shpinë dhe gjënë e gjallë, të gjithë kanë marrë bonusin janë vetëm 157 familje në çadra, të cilave Bashkitë i janë lutur, sot marrin edhe bonusin. Është një revolucion jo vetëm infrastrukturor po edhe shpirtëror i një vendi", tha Ahmetaj.
Gjatë vizitës në lagjen e rindërtuar të Thumanës, kryeministri Edi Rama nuk kurseu batutat drejtuar vjehrrave dhe nuseve.
“Është bërë edhe një plus, kudo ku të dëmtuarit nën një kulm kanë qenë më shumë se një kurorë përfitojnë aq apartamente sa kurora. Me këtë rast lehtësojmë edhe vjehrrat edhe nuset nga të qëndruarit në një kulm u japim mundësinë të duhen më shumë duke qenë secila në kulmin e vet” u shpreh Rama.
Sa bukur i kishin bere ato banesat. Po automjetet ku do ti parkojne njezit? Apo kismet' termetin tjeter.
Përgjigju