VIDEO/ ‘Krishti u ngjall', besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë Pashkën

4 Maj, 23:01| Përditesimi: 6 Maj, 10:03

  • Share

TIRANË- Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, ortodoksët ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin. Ngjallja e Krishtit këtë vit kulmoi në mesnatën mes 4 dhe 5 majit.

Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen ‘Ngjalla e Krishtit’, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Pas meshës, besimtarët u largohuan me qirinj të ndezur në duar, që simbolizon dritën e shpresës për të çuar në shtëpitë e tyre mirësi dhe begati. Festimet do të vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme, 5 prill.

Në vigjilje të Pashkës, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos uroi të gjithë besimtarët, i cili tha se vëmendja këtë vit shkon në vendet e përfshira në konflikte si Ukraina, Gaza e Sudani.

Kryepeshkopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, 'të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë”, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.

Urimet nuk mungojnë as nga politika, nga Presidenti Bajram Begaj, te kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryedemokrati Lulzim Basha e Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë! Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo te gjithë besimtaret ortodoksë”, shkruan Begaj.

"Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar! Sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje", shkruan Meta.

“Drita e ringjalljes i mbushtë zemrat tuaja dhe vatrat e çdo familje shqiptare plot me shpresë dhe besim se e mira do të triumfojë mbi çdo dhimbje dhe padrejtësi. Nga mot gëzuar", shkruan Basha.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.

‘Krishti u ngjall’ është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe, ngjyrë e cila simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.

Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.

Report Tv dhe Shqiptarja.com iu uron të gjithë besimtarëve ortodoksë Gëzuar Pashkën!

Ora 11:11
Festohet Pashka Ortodokse në Gjirokastër/ Katedralja “Ngjallja e Krishtit” mbledh qindra besimtarë

1714900348_dfsghrehrehtre.JPG

Besimtaret ortodoksë gjirokastritë kanë kremtuar mbrëmjen e djeshme duke u gdhirë dita e sotme Ringjalljen e Krishtit.

Katedralja e “Ngjalljes së Krishtit” ka mbledhur me qindra besimtarë duke uruar njëri-tjetrin- "Krishti u Ngjall”.

Këmbana e kishës ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit. Mesha e organizuar nga klerikët ortodoksë vendas në ambientet e jashtme të katedrales, u përcoll nga besimtarët e shumtë të cilët nxitonin të ndeznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re.

Së bashku me të dhe vezët e Pashkës me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishtërimin ortodoks në mbarë botën.

Ceremonitë fillestare ortodokse në Kishën e “Ngjalljes së Krishtit”, kanë filluar të Premten e Madhe në përkujtim të kryqëzimit të Jezu Krishtit ku besimtarë të shumtë janë lutur për më shumë paqe, mirësi dhe begati, për më shumë dashuri mes njerëzve. 

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.

Ora 09:58
 ‘Krishti u Ringjall’! Besimtarët në Korçë festojnë Pashkën

 

 Të shumtë kanë qenë besimtarët ortodoksë në Korçë që kanë festuar Pashkët.

Me lutjet për paqe dhe begati, ata ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Katedralen e Korçës “Ringjallja e Krishtit”.

Ora 09:25
Muzika e lartë e lokaleve të natës anulon meshën e Pashkëve Ortodokse në Shkodër

Mesha e vigjiljes e Pashkëve Ortodokse në Shkodër është anuluar mbrëmjen e së martës në Kishën Ortodokse.

Muzika e lartë e lokaleve të natës përreth kishës “Lindja e Krishtit” ka detyruar disa herë famullitarin At Nikolla Petani, të ndërpresë meshën dhe në fund ai së bashku me besimtarët ortodoksë, kanë vendosur të anulojnë meshën.

Në kishë, ka qenë e pamundur të dëgjohej fjala e famullitarit dhe mesazhi i festës për shkak të muzikës së lartë.

“Festën e ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht me një zhurmë të tillë...ne do të vazhdojmë të lutemi dhe Zoti ju gëzoftë, më mirë në jetën e përditshme. Sot është dita e ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht dhe jemi të gjithë së bashku po ne do të vazhdojmë të lutemi në qoftë se këmbanat tona nuk do të dëgjohen si është e drejta të dëgjohen unë besoj se nuk ka vlerë të vazhdojmë që më tepër për ngjalljen e Zotit me muzikë dhe pa muzikë ne do ta bëjmë të gjithë së bashku, bekimin e Zotit”, tha At Nikolla Petani.

Ora 08:05
Pashkët Ortodokse, besimtarët në Vlorë e Sarandë kremtojnë Ringjalljen e Krishtit

 

Besimtarët ortodoksë në Vlorë dhe Sarandë kanë kremtuar Ringjalljen e Krishtit deri në orët e para të mëngjesit.

Me qirinj nëpër duar ata uruan për paqe dhe begati.

 

 

Ora 07:35
Pashkët Ortodokse, besimtarët në Lushnjë e Fier marrin pjesë në meshën e shenjtë të Ngjalljes së Krishtit

 

Besimtarët ortodoksë kanë marrë pjesë në meshën e vigjiljes së Pashkës së Madhe. Në kishën e Shën Gjergjit në Lushnjë, besimtarët u bënë pjesë e ritit të festës së ringjalljes së Krishtit.

At Arkipi, pas përfundimit të meshës në mesnatë dha lajmin e ngjalljes së Krishtit dhe ftoi besimtarët të merrnin dritën që nuk perëndon kurrë.

Ndërkohë, edhe në Fier qindra besimtarë ortodoksë kanë ndjekur meshën e Ngjalljes së Krishtit në kishën e Shën Gjergjit. Besmitarët janë afruar dhe kanë marrë flakën e shenjtë që simbolizon dritën dhe që sipas traditës, çdo besmitar e merr atë në çdo familje për të ndriçuar rrugën drejt jetës dhe mirësisë. 

Ora 07:32
Kremtohen Pashkët Ortodokse në Berat, urojnë besimtarët: Paqe e begati në çdo familje

 

Për të gjithë besimtarët ortodoksë në qytetin e Beratit, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për botën .Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Petraq Simsia dhe At Johan Qako.

Ceremonia e shenjtë u ndoq nga qindra besimtarë ortodoksë, të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të Katedrales, duke u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe dhe jetë më të mirë. Besimtarët ortodoksë beratas morën pjesë fillimisht në meshën për ringjalljen e Krishtit, që pasoi me lutjen e traditës sipas liturgjisë, me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste.

Më pas, besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinj nga imzot Ignati, dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjellë me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit. Mesnata,që shënoi edhe ringjalljes e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”,k u të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar. Besimtarët ortodoksë beratas uruan të gjithë besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë për më shumë paqe, begati e mirësi në çdo familje shqiptare.

Ora 22:31
VIDEO/ Në vigjilje të Pashkëve Ortodokse, numër i lartë besimtarësh mblidhen në sheshin e kishës së Nartës

Një numër i lartë qytetarësh dhe besimtarësh janë mbledhur në sheshin e kishës së Nartës për të festuar Vigjiljen e Pashkëve.

Ndërkohë që pritet që në Nartë, ditën e nesërme të nisin dhe karnavalet, që do të zgjasin tre ditë. Të shumtë janë banorët e Nartës që jetojnë në Greqi që janë kthyer për të festuar Pashkët.

Fshati Nartë është një nga zonat ku Pashkët kanë një vëmendje të veçantë nga besimtarët.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jana: 05/05/2024 03:35

    Keta ta heqin greqishten nga mesha njehere se po largojne njerezit. Nuk ka pune greqishtja ketu.

    Përgjigju
  • Alban: 04/05/2024 22:33

    Agjent i Greqise dhe armik i shqiptareve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?