Nesër Fiter Bajrami, kreu i KMSH-së uron besimtarët: Konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe! Meta: Lutje të pranuara

1 Maj 2022, 12:12| Përditesimi: 1 Maj 2022, 20:53

  • Share

Nesër është festa e Fiter Bajramit. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i është drejtuar besimtarëve myslimanë me një videomesazh pak orë para mbylljes së muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Spahiu uron që Zoti t’u ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellin sot.

Një lutje, për Zotin, kreu i KMSH-së e pati edhe për paqen në botë, 'konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.'

"Të dashur motra dhe vëllezër! Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund. Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin. Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot. Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram! Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë. Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore. Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë. I Lartmadhëruari ka thënë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare). Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.” E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar. E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore. E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë. Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha. E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave. Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin!", uron kreu i KMSH.

Një urim kishte edhe Presidenti Ilir Meta, i cili uroi që lutjet dhe agjërimi i gjithë besimtarëve muslimanë të jetë pranuar.

Të gjithë Besimtarët myslimanë, të hënën festojnë Fiter Bajramin, pas një muaji agjerimi, sakrifice e përkushtimi.

Ora 20:40
Fiter Bajrami, Meta uron besimtarët muslimanë! Qëndro i vendosur kundër padrejtësive

 

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët muslimanë me rastin e Fiter Bajramin. Me një postim në facebook Meta uron që lutjet dhe agjërimi i gjithë besimtarëve muslimanë të jetë pranuar.

“Me përmbylljen me sukses të përsosjes shpirtërore në Muajin e Ramazanit i bashkohem sonte urimit për agjërim dhe lutje të pranuara për çdo besimtar mysliman!

Shëndeti, lumturia, mirësia dhe mbarësia qofshin gjithmonë në familjet shqiptare!

Kur i gëzohemi begative që sjell Bajrami dhe i jemi falenderues Zotit për të mirat e sjella për ne, të mos harrojmë se në thelb të kësaj feste qëndron solidariteti dhe humanizmi”, shkruan Meta

Presidenti Meta ka zgjedhur ta përmbyllë urimin e tij për besimtarët muslimanë me një pjesë nga Kurani teksa shkruan: “Qëndro i vendosur kundër padrejtësive, edhe nëse kjo gjë rezulton kundër teje”

Të gjithë Besimtarët myslimanë, të hënën festojnë Fiter Bajramin, pas një muaji agjerimi, sakrifice e përkushtimi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?