3 kandidatët e Vetvendosjes renditen në radhët e të pakënaqurve nga rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit.
Bojken Abazi, Kreshnik Merxhani dhe Iljaz Shehu ankimuan mbrëmjen e së hënës në KQZ rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, Gjirokastër dhe Lezhë, qark për të cilin deri më tani nuk kishte patur asnjë ankimim nga asnjë subjekt politik.
Në kërkesën ankimore prej 22 faqesh, kandidati i Vetvendosje për Tiranën Bojken Abazi pretendon se vëzhguesit e tij, janë penguar të futen brenda Vendeve të Numërimit të votave, gjatë marrjes së kutive të votimit.
Sipas tij, janë shpallur të pavlefshme, pa arsye, fletë votimi ku vota ka shkuar për Abazin, ndërsa janë bërë qëllimisht të pavlefshme 164 fletë votimi, ku është votuar për të.
Kërkesën për shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në Qarkun e Tiranës, Bojken Abazi e bazon edhe në arsyetime të tilla si mungesë e pamjeve të kamerave në disa KZAZ, mohimi i të drejtës së votës për emigrantët apo për të prekurit me COVID.
Të njëjtat shkelje pretendojnë edhe kandidatët e Vetvendosje për Gjirokastrën dhe Lezhën, Kreshnik Merxhani dhe Iljaz Shehu, të cilët pretendojnë se në shumë fletë votimi është vendosur shenjë nga komisionerët për ti bërë ato të pavlefshme.
Ndërkohë të mërkurën në orën 09:30 KAS do të nisë shqyrtimin e kërkesave ankimore të depozituara pranë KQZ nga PD, Lëvizja Socialistë për Integrim, koalicioni ABEOK dhe kandidatët e pavarur Abazi, Merxhani dhe Shehu.