Afati të cilin ia vendosi opozitës për të zënë vendet në komisionin e Posaçëm për Dezinformim mbaroi, dhe kryetari Erion Braçe do ta nisë punën pa përfaqësuesit e Partisë Demokratike
Mbledhja e parë e konstituimit do të mbahet të mërkurën në orë 9:00, me praninë e 6 anëtarë të mazhorancës dhe 2 përfaqësues të grupeve të vogla parlamentare.
Gazment Bardhi është i vendosur të mos marrë pjesë në këtë komision, pavarësisht thirrjeve së përsëritura për tu ulur në tryezë, në mënyrë që së bashku të luftojnë kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve nga vendet e huaja në proceset demokratike të vendit.
Ftesës i janë përgjigjur vetëm Mesila Doda, e cila për Report tv më herët ka konfirmuar se do të jetë pjesë e kësaj tryezë si përfaqësuese e grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim”, ndërsa grupi “Aleanca për Ndryshim” ka konfirmuar se do të përfaqësohet me Fatmir Mediun.
Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin do të funksionojë për një afat kohor 1-vjecar, dhe synon të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike duke nisur nga fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.
Ngritja e Komisionit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe parlamentin evropian në luftën kundër dezinformimin dhe ndërhyrjen nga vendet e huaja.
Në përfundim të punës 1-vjecare, Komisioni do të përgatisë një raport me analizat, gjetjet dhe propozimet për ndryshimet ligjore dhe masat administrative.