Politikë

Nesër Kuvendi nis sesionin e fundit para 'shpërndarjes', ndryshimet në Kod për votën e diasporës ‘sfida’ e parë për konsensus! Begaj mesazh ligjvënësve

19 Janar, 13:10| Përditesimi: 19 Janar, 15:42

  • Share

Të hënën në orën 17:00 deputetët do të rikthehen në Parlament.  E hëna e tretë e janarit do t’i gjejë ligjvënësit në ulëset e seancave plenare, në sesionin e fundit për këtë legjislaturë të dhjetë, e cila do të vijojë punimet deri në mars, për t’ia lënë më pas vendin përgatitjeve për votimet e 11 majit që do të zgjedhin parlamentin e ri.

Mëritë e bojkotit përkohësisht janë harruar dhe deputetët e të gjitha palëve do të përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët për disa nisma. Sfida më e afërt, është ajo për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, që imponohet nga realizimi i votës së diasporës, proces historik që implementohet për herë të parë në këto zgjedhje. 

PD e PS duhet të bashkojnë votat për disa ndryshime, që lidhen sa me anët teknike, aq edhe politike të procesit.

Me propozim të KQZ, por mbështetur edhe nga PS, dy ndryshime kanë të bëjnë me afrimin e afateve të regjistrimit, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe të shpërndahet te emigrantët që do të votojnë me postë. Ndryshimi tjetër është ai që kërkon të specifikojë në ligjin zgjedhor, se për këto zgjedhje, emigrantët nuk do të kenë asnjë kosto, pasi njëjtë si dërgimi i fletës së votimit, edhe marrja e saj do të bëhet me buxhetin e shtetit.

Nga ana tjetër, PD kërkon që Kodi të rregullohet e ta thotë qartë që votat do të numërohen nga komisionerët politikë, dhe jo nga administrata e KQZ.

Kërkesa që duket të vështirësojë arritjen e dakordësisë është ajo e bërë së fundmi nga opozita, që emigrantët të votojnë edhe me dokumente të huaja.

Në seancat e para të këtij sesioni pritet të votohet edhe për dërgimin ose jo në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të deputetit socialist vullnet Sinaj, çështje për të cilën u ra dakord disa ditë më parë në Këshillin e Mandateve.

Në Kuvend gjithsesi debate pritet të ketë edhe për nismat e fundit ligjore të depozituara nga të dyja palët përgjatë javëve të fundit e që do t’i nënshtrohen diskutimit parlamentar, siç është paketa e maleve e qeverisë, apo dy projektligjet e depozituara nga demokratja Jorida Tabaku për “Për marrëveshjet e kredisë konsumatore” apo ai për "Mbrojtjen e Konsumatorëve".

K.T./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?