Kosova & Rajoni

Nesër Lajçak viziton Kosovën, Presidenti Thaçi: Duhet ta dijë se jemi shtet i pavarur, në të kundërt dështimi i BE-së i pashmangshëm (VIDEO)

15 Qershor 2020, 11:29| Përditesimi: 15 Qershor 2020, 14:39

  • Share

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot se Kosova dhe Ballkani Perëndimor po hyjnë në një javë të rëndësishme.

Duke folur për vizitën që do të bëjë në Kosovë, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, Thaçi tha se ai duhet ta dijë që Kosova është shtet i pavarur.

“Nuk jam i informuar për axhendën e Lajçak-ut. Ai duhet ta kuptojë që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, çdo qasje tjetër është dështim i tij dhe BE-së në Kosovë. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për liberalizim të vizave dhe jo për fjalë”, ka thënë Thaçi.

Këto komente presidenti i Kosovës, i bëri pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Thaçi foli edhe për atë se kush do të udhëheqë me dialogun me Serbinë, duke shtuar se kjo është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës.

“Duhet të koordinohemi dhe të jemi të bashkuar për të treguar atë që duam në dialogun me Serbinë, njohjen reciproke. Do të jemi krah për krah me njëri-tjetrin në procesin e dialogut. Nuk jemi në garë me njëri-tjetrin, por bashkë përballë Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, nis nesër vizitën e tij në Kosovë.  Kjo është vizita e parë e tij në këtë shtet, prej emërimit si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

/b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, a mund të integrohet Shqipëria në BE brenda 2030-ës?