Sociale

Nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit, kreu i KMSH mesazh: Muaji i solidaritetit, të forcojmë lidhjet me familjen e shoqërinë

28 Shkurt, 09:10| Përditesimi: 28 Shkurt, 19:27

  • Share

TIRANË- Besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, nisin nesër, më 1 mars, muajin e shenjtë të Ramazanit, periudhën më të rëndësishme të vitit për ta, të cilën e kalojnë në përkushtim, lutje dhe bamirësi.

Gjatë këtij muajit të bekuar, besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, një nga 5 kushtet e islamit. Dita e parë e Ramazanit është më 1 mars, ku koha e syfyrit për vendin tonë përkon në orën 04:39, ndërsa iftari në orën 17:37. Dita e fundit e Ramazanit është më 29 mars, ndërkaq Fitër Bajrami festohet më 30 mars.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët, duke e cilësuar Ramazanin si një muaj të bekuar, një mundësi për të rritur përkushtimin shpirtëror dhe për të forcuar ndjenjën e solidaritetit.

“Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, Nesër, më 1 mars, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, një muaj i bekuar reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror. Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i Cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj.

Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve.

Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit.

Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar.

Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: "O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat."

(Sureja El-Bekare, ajeti 183)

Ky mesazh hyjnor na rikujton se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale.

Të dashur besimtarë shqipfolës, kudo që jetoni e punoni, uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë begati, paqe dhe harmoni në familjet tona dhe në mbarë shoqërinë.

Lusim Allahun Fuqiplotë që të na japë forcë, përkushtim dhe sinqeritet për ta jetuar këtë muaj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfituar nga mirësitë dhe begatitë e tij të shumta.

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit”, shprehet Spahiu.

Muaji i Ramazanit

Ramazani është muaji më i rëndësishëm për të gjithë myslimanët. Çdo besimtar e pret me gëzim Ramazanin, duke shpresuar në mëshirën dhe faljen e Allahut. Është koha kur zakonet dhe detyrimet tona jetësore ua nënshtrojmë momenteve kur fillojmë agjërimin dhe kur bëjmë iftarin.

Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor Islam, zgjat nga 29 ose 30 ditë dhe ku gjatë kësaj periudhe kohe besimtarit mysliman në nderim të krijuesit i duhet të argjërojë nga agimi deri në lindje të dielli, duke shmangur ushqimin, lëngjet dhe çdo sjellje negative të njeriut.

Myslimanët në gjithë botën agjërojnë dhe nuk u lejohet të konsumojnë asgjë derisa dielli të perëndojë. Ramazani konsiderohet si periudha ku trupi dhe shpirti pastrohet.  Çdo vit për Ramazan, miliona myslimanë në të gjithë botën agjërojnë 30 ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Përveç pastrimit të shpirtit, agjërimi mbahet për tu solidarizuar me të varfrit, për të ndarë ushqimin me to. Gjatë Ramazanit, besimtarët kërkojnë falje për mëkatet, luten për ndihmë ndaj të këqijave dhe përpiqen të pastrohen nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira.

Kalendari i muajit të Shenjtë të Ramazanit

Ora 19:23
Nesër nis Muaji i Shenjtë i Ramazanit, kryeministri Rama: Agjërim të lehtë, harmoni, qetësi dhe begati në familje

1740558654_edirama.png

Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka uruar në rrjete sociale besimtarët myslimanë për nisjen e Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Rama shkruan për një agjërim të lehtë dhe uron harmoni, qetësi dhe begati në familjet e besimtarëve.

'Të gjithë besimtarëve ju uroj një fillim të mbarë të muajit të Ramazanit, agjërim të lehtë, harmoni, qetësi dhe begati në familje
Agjërim të lehtë dhe të pranuar', shkruan Rama.

Fotoja që postoi Rama në rrjete sociale për të uruar besimtarët për Muajin e Shenjtë të Ramazanit
SI.E./G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?