Nesër nis Ramazani, myftiu i Korçës mesazh: Muaji i mëshirës dhe durimit, t’i gjendemi pranë familjeve në nevojë

10 Mars, 10:27| Përditesimi: 10 Mars, 11:33

  • Share

 

 

Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi ka ndarë një mesazh urimi në prag të fillimit të muajit të Shenjtë të Ramazanit. Ai thotë se muaji i Ramazanit është muaji i mëshirës dhe durimit.

Ndërsa iu uron agjërim të lehtë e të pranuar të gjithë besimtarëve, myftiu i Korçës vë theksin në mesazhin e tij te familjet në nevojë, për të cilat thotë se duhet t’u gjendemi pranë, sidomos në këto ditë.

Mesazhi i Myftiut i Korçës, Ledian Cikalleshi

Të nderuar besimtarë, nesër, më 11 mars 2024 fillon Muaji i Bekuar i Ramazanit. Kam kënaqësinë dhe nderin të uroj në emrin tim personal dhe ne emrin e institucionit që përfaqësoj të gjithë besimtarët myslimanë të Qarkut të Korçës: Gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Thotë i Lartësuari në librin e Tij fisnik: “O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë obligim për ju sikur ka qenë obligim edhe për ata që ishin para jush, që të jeni më të devotshëm (më të përkushtuar).”(El-Bekare, 183).

Ndërsa i Dërguari i Allahut ka thënë:

“Ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu jua ka bërë obligim agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e Xhehennemit, kurse shejtanët të inatosur lidhen në pranga. Allahu xh.sh. në këtë muaj ka zgjedhur një natë që është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.”

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Trokitja në derë e këtij mysafiri të nderuar është një sihariq i mirë për të gjithë myslimanet, të cilët i kaplon gëzim i madh. Gëzimi nuk është vetëm i të rriturve, ai njësoj i kaplon edhe ata më të vegjlit, për të cilët akoma nuk është obligim agjërimi i këtij muaji. Ditët e këtij muaji kanë një shije të veçantë, një shije të ëmbël, të këndshme, të lezetshme dhe qetësuese; zemrat e të devotshmëve lakmojnë mirësitë dhe begatitë e Krijuesit. Është muaj i mëshirës, muaj kur zemrat e thara nga malli për të, sërish fitojnë njomësinë dhe gjallërinë.

Muaji i Ramazanit është muaji i durimit, i lutjes, i Kuranit, i bujarisë, është muaji i dashurisë, vlerave njerëzore, respektit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit. Gjatë këtij muaji të rizgjojmë ndjenjat e bukura, të ndezim shpresat, të pastrojmë ndërgjegjet dhe të lutemi. Feja Islame i ka dhënë një rëndësi të madhe xhematit, adhurimeve të përbashkëta në grup, por Allahu i ka dhënë mundësinë njeriut që ta adhurojë Atë edhe individualisht. Kjo vlen edhe për Ramazanin. E nisim këtë muaj me sihariqin që Allahu na jep në Kuranin famëlartë në suren Inshirah ku thuhet: “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi”.

Të nderuar besimtarë, mos të harrojmë gjatë këtyre ditëve edhe ata të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë. Në iftaret tona të përvitshme të mos mungojnë familjet në nevojë dhe shtrimi i iftareve për ta. Të nderuar motra dhe vëllezër, Ramazani është një ftesë hyjnore e përvitshme drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Ne kemi nevojë të pendohemi për gabimet tona, dhe kur jemi agjërueshëm është momenti i duhur ti kërkojmë Zotit falje.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, lus Allahun të na e pranojë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, ky muaj na sjelltë begati, mirësi, paqe në familjet tona, dhe në mbarë shoqërinë.

Agjerim të lehtë e të pranuar!


Lajmi kryesor:

Besimtarët myslimanë nisin nesër muajin e Shenjtë të Ramazanit, kalendari me oraret e vakteve! Uron Kryetari i KMSH: Agjërim të lehtë


SI.E.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?