Deputeti Fatmir Mediu në 'Frontline Interview'

Nesër samiti për Ukrainën në Tiranë, Mediu: Moment i rëndësishëm i diplomacisë shqiptare! Fitojmë peshë në arenën ndërkombëtare

27 Shkurt, 18:52| Përditesimi: 27 Shkurt, 20:40

  • Share

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ftuar në emisionin “Frontline Interview” me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv e konsideroi samitin për Ukrainën që do të mbahet nesër (28 shkurt) në Tiranë si një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për diplomacinë shqiptare. Ai tha se organizimi i nesërm do të ketë ndikim të madh në gjepolitikë dhe në peshën e vendit në arenën ndërkombëtare.

“Unë mendoj le ta vlerësojmë këtë samit si një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të diplomacisë shqiptare si një anëtar i NATO-s. Fitohet një peshë e madhe për shkak se diskutohen çështje që e tejkalojnë vendin tonë. Ka një ndikim pozitiv në gjeopolitikë. Krijojmë një marrëdhënie dhe bosht të qëndrueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare kundër agresionit rus”- u shpreh Mediu.

Deputeti u shpreh se pavarësisht dëshirës për të ndihmuar Ukrainën, Shqipëria dhe vendet e Europës Juglindore, liderët e së cilës do të jenë të pranishëm nesër në samit, kanë kapacitete modeste nga pikëpamja ushtarake.

“Në nevojën që ka sot Ukraina, gjithë ndihma e Shqipërisë dhe e vendeve të Europës Juglindore është fare modeste. Turqia dhe Greqia janë 2 vende që nga pikëpamja e fuqisë ushtarake kanë më shumë peshë. Po ashtu edhe Italia”- tha deputeti.

Mes të tjerash, Mediu foli edhe për inagurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë më 4 mars, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm që i siguron vendit një dimension të rëndësishëm ajror. Ai sqaroi se avionët mund të përdoren vetëm nga NATO për qëllime të Aleancës dhe jo nga Shqipëria.

“Mendoj se është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm. Fitohet një dimension i prezencës ushtarake që nuk e kemi, dimensioni ajror. Çdo gjë që ka të bëjë me NATO-n përdoret vetëm nën komandën e NATO-s. Në momentin që e ke një bazë ushtarake të tillë, është një parametër i rëndësishëm nga pikëpamja e sistemit të mbrojtjes në Shqipëri sepse kemi një gjurmë të rëndësishme të NATO-s në vendin tonë”- shtoi Mediu.

Sipas tij, është një lajm i mirë fakti që Shqipëria si vend anëtar i NATO-s nuk pret vetëm përfitime por përpiqet të japë kontributin e saj sado modest.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?