Të dielën kryeministri Edi Rama do të jetë në Selanik, në takimin e radhës me shqiptarët e Greqisë, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.
Në një mesazh në rrjetet sociale Rama tha se me fqinjët, shumë shpejt do të jemi krah për krah në Bashkimin Evropian.
Greqia ishte ndalesa e parë e kryeministrit Edi Rama në kuadër të turit për diasporën në maj të këtij viti, ku u takua me shqiptarët në Athinë, vizitë që erdhi në kulmin e acarimit të marrëdhënieve mes dy vendeve për shkak të çështjes Beleri.
Vetëm pak ditë më parë, kreu i qeverisë u takua edhe me diasporën në SHBA ku kërkoi votën për PS dhe investime në atdhe.
Salla ku Rama do mbajë takimin me diasporë në Selanik
Përmes një postimi në Facebook, Erion Braçe ka ndarë një video ku duket salla ku nesër Edi Rama do të mbajë takimin e radhës me diasporën shqiptare në Selanik.
Salla në Porto Palace është e mbushur me karrige gati të presin nesër shqiptarët e Greqisë, teksa Braçe thekson se çdo shqiptar në Selanik e në rrethina e ka vendin aty nesër, duke shtuar se: Fashizmin e kemi mundur me kohë, para 80 vjetësh, duke dhënë një kundërpërgjigje për disa fletushka të grupeve ekstremiste greke kundër takimit të Ramës në Selanik.