Politikë

Nesër zyrtarisht fushatë/ Nis beteja për fitore më 11 maj! Rama: Ndoshta më shumë se 77 mandate! Berisha: Nuk jam “profet”

10 Prill, 16:57| Përditesimi: 10 Prill, 22:01

  • Share

Më 11 prill partitë politike do të zbresin zyrtarisht në fushën e betejës për zgjedhjet e përgjithshme. Ata do të kenë mundësi që për 30 ditë të bëjnë fushatë për të bindur qytetarët të hedhin votën për ta, për t’i besuar drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme. 

Partia Demokratike dhe koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të çelë e para fushatën.

Në sheshin “Nënë Tereza” po punohet për ndërtimin e skenës së mitingut hapës.

Vetë Sali Berisha nuk premtoi surpriza të mëdha. Krahas fjalimeve të njerëzve jo-politikë, kryefjalë e takimit pritet të jetë Chris Lacivita, njeriu që PD thotë se do të drejtojë fushatën herë nga afër e herë nga zyra në Shtetet e Bashkuara.

Ardhja e Chris Lacivita si shpresa e demokratëve për një fushatë bindëse, u komentua edhe nga kryeministri Edi Rama.

 “Ti vazhdon me broçkullat e tua derisa të zbresë sherifi në qytet” o të marrsha të keqen unë ty. Ja erdhën zgjedhjet dhe do e shohim kush do zbresë e kush do bjerë”, u shpreh kryesocialisti Rama.

Vetë Partia Socialiste fushatën e hap zyrtarisht më 12 prill në orën 12, simbolikë që lidhet me 12 yjet në flamurin e BE, destinacion që socialistët e kanë premtim kryesor. E premtja e datës 11, teksa PD përgatitet për mitingun hapës, PS do ta gjejë në terren në takime masive në 12 qarqet e vendit me gratë.

“Nesër nisim zyrtarisht se zyrtarisht 30 ditëshin e fundit të gjithë këtij rrugëtimi drejt mandatit të 4 dhe një mesazh i veçantë për të gjitha gratë dhe vajzat që janë pjesë  e familjes sonë politike ose që e simpatizojnë familjen tonë, ose janë të interesuara që të dinë më shumë lidhu me marrëdhënien tonë me gratë dhe vajzat në këtë proces të përfundimit të rrugës për të hyrë në BE, në pjesën e mbetur të kësaj dekade, që të lidhen me ne nesër pasdite dhe besoj që do të jetë një nisje ndryshe e fushatës elektorale dhe ndërkohë pasnesër në mesditë në orën 12, nga të 12 qarqet tek të 12 yjet e Evropës në Sheshin ‘’Skënderbej’’, do të mblidhemi për një takim politiko-festiv”, tha Rama

Në nisje të fushatës, dy kundërshtarët politikë kanë parashikimet e tyre mbi rezultatin.

“Mund të jenë edhe më shumë se 77 deputetë”, u shpreh Rama.

“Nuk jam profet, por ju e shihni entuziazmin’, u përgjigj Berisha.

Fushatën më 12 prill, një orë para socialistëve do e çelë edhe Lulzim Basha që në këto zgjedhje hyn nën logon e koalicionit euroatlantik.

Ora 21:59
Nesër nis zyrtarisht fushata, ja aktivitet hapëse të partive kryesore në garë! Partia Demokratike cakton zëdhënës të fushatës Andi Mustafajn

1743601851_zgjedhjetparlamentare2025.jpg

Ditën e nesërme (11 prill 2025) hapet zyrtarisht fushata elektorale për partitë e regjistruara në garën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. 

Partia Demokratike do të çelë fushatën nesër në orën 19:00 në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa në datën 12, ora 17:00, kjo parti do të shpalosë të plotë programin elektoral në Pallatin e Kongreseve. 

Ndërkohë Report Tv mëson se PD i ka besuar detyrën e zëdhënësit të fushatës Andi Mustafajt. Andi ishte një nga më të votuarit e primareve, por nuk kandidoi meqenëse nuk futej në listë të mbyllur.

Partia Mundësia e Agron Shehaj do të çelë po ashtu nesër fushatën në një mënyrë të veçantë. Shehaj do të zhvillojë një tur me autobus nga veriu në jug me autobus të personalizuar me simbole të partisë së tij. Ai do të niset nga Shkodra në 8:00 të mëngjesit, Lezhë, Durrës, Kavajë, Lushnje, Fier, Vlorë, Selenicë dhe në orën 20:00 turin do ta mbyllë në Sarandë, ndërsa më 13 prill do të zhvillojë një takim të posaçëm për prezantimin e plotë të programit.

Nisma Shqipëria Bëhet do të hapë fushatë në Vlorë më 12 prill, ora 18:00, në sheshin para  “Flamurtari”. 

Edhe Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashën do të çelë fushatën po ashtu më 12 prill, ora 11:00, te Xibraku.

Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier,
10:30, te Teatri Bylis.

Djathtas për Zhvillim nuk do të zhvillojë diçka të posaçme në kuadër të çeljes zyrtare të fushatës, pasi sipas saj aktiviteti hapës i fushatës së tyre quhet ai i 24 marsit te Hotel Tirana.

G.M./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?