Dosje

DOSJA K/ Nestor Topençarov: Hekuran Isai dhe plani i Sigurimit për të na zhdukur si familje

5 Korrik, 09:36| Përditesimi: 5 Korrik, 14:07

  • Share

Nga viti 1976 kur i arrestuan, Kosta Topençarov dhe i biri Nestori lanë pas qelitë e hetuesisë dhe nisën jetën e vështirë të burgjeve. Kosta në burgun e Ballshit dhe Nestori në burgun e Spaçit. Në shtëpi Marika me të bijën Ivanën duhet ti bënin ballë presioneve të Sigurimit të Shtetit dhe një përndjekjeje shumëfish më të lartë dhe të luftonin varfërinë dhe vështirësitë e panumërta që të mund të mbanin në burg Kostën dhe Nestorin. E tillë do të rridhte jeta në familjen Topençarov për disa vite, derisa me 15 nëntor 1982, pas një amnistie ishin liruar nga burgu, që të dy, në të njëjtën ditë.

Kthimi në shtëpi do tu rikthente shpresat për një jetë të re. Kosta ende shpresonte se një ditë do të mund të riatdhesohej e të kthehej tek shtëpia e tj e lindjes në Maqedoni. Ndërsa fëmijët,  Nestori dhe Ivana donin vetëm qetësi, ta rinisnin jetën nga e para, pa presione e përndjekje. Por a i shte e mundur kjo? Pse Sigurimi i Shtetit i mbante nën survejim të pandërprerë, dhe pse e morën sërish në hetuesi në vitin 1987 Kosta Topençarov, tashmë në moshë të thyer dhe i sëmurë, nga torturat në hetuesi dhe jeta e vështirë e burgut.

Nesori ishte dënuar me 7 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë dhe në vitin 1982 ai u lirua pas një amnistie që i fali tre muaj nga dënimi, pasi pjesën tjetër e kishte fituar me punë në minierën e Spaçit. Ai tregon shkurtimisht përjetime të tij nga jeta në burgun e Spaçit për t'ia lënë vendin kryesor në këtë pjesë të rrëfimit të tij, përndjekjes dhe persekutimit që vijoi mbi familjen e tij deri në ditët e fundit të diktaturës, edhe pasi ata, at e bir dolën nga burgu...

“Pas dënimit, që më dënuan me 7 vite heqje lirie, dhe 5 vite të drejta elektorale, më çuan në kampin e Spaçit. Dikush i thotë burgi i Spaçit, dikush kamp pune, ndërsa diktatura i thoshte repart riedukimi. Nuk e kuptoj se çfarë riedukimi do na bënin neve. Ne edukimin e kishim marrë nëpër familjet tona dhe atje, veç atij ambienti që përballeshim çdo ditë, me vështirësi nga më të ndryshmet, edukim ishte vetëm edukimi me, leximi i veprave të Enver Hoxhës, të diktatorit. Jeta ishte shumë e vështirë në kamp. Dikush më pyeti: a kishit violenca psikologjike në Spaç? Sigurisht që kishim. Përballeshe çdo ditë me atë problematikë. Ishte ajo që ishe i rrethuar në mes të maleve, rreth e qark i mbyllur me tela me gjemba, që nuk dije se çfarë perspektive do të kishte e ardhmja jote, se çfarë planesh kishte diktatura për ty. Kur hynim në galeri nuk e dija a do të dilja gjallë apo jo. Kur kthehesha në kamp që duhej të isha i kujdesshëm, të mos i jepja shkak policit të brendshëm që të provokonte dhe të fuste në birucë”, rrëfen ai.

Nestori thotë se pjesa më e vështirë e jetës së tij në atë burg ishte presioni psikologjik dhe përgjegjesia që ai ndjente për pjesën tjetër të familjes, babanë e moshuar, në burgun e ballshit dhe mamanë dhe motren që i kishin lënë në Korçë.

“Kur na merrnin, na mblidhnin në atë sheshin lart dhe kur zbriste gjithë komanda së bashku me oficerë nga Ministria e Brendshme dhe nga kryesia e Degës së Rrëshenit, kur rreth e qark shikonim që ishim të rrethuar nga policia, dhe fillonte dhe lexohej lista e atyre që do të arrestoheshin dhe nuk e dije a do të ishte emri yt në atë listë. Ishte ajo që mendoja për një mama e një motër që kisha lënë vetëm, në kushte të vështira ekonomike dhe nën një presion të madh nga ana e aktivistëve të lagjes dhe të operativëve të Sigurimit. Mendoja për babanë që ishte plak dhe i sëmurë, që vuante dënimin në burgun e Ballshit dhe nuk e dija a do ta shihja më apo jo. Këto e rëndonin akoma edhe më shumë jetën në atë ambient. D.m.th. djemtë e rinj në qoftë se i shikoje si puna ime, se unë kur vajta atje nuk isha akoma 24 vjeç, i dalloja, por burrat në njëfarë moshe, nga vuajtjet e mëdha, nga puna e rëndë, nga jetesa e keqe, ushqimi e të gjitha këto presione, ishin, duke u shtuar them edhe atë veshjen e burgut, i kishin kthyer në pleq të parakohshëm. Nuk ua dalloje dot moshën”, tregon Nestor Topencarov.

Momentin e lirimit nga burgu, nestoir e ka të skalitur në kujtesë, pasi edhe ai dhe Kosta do të liroheshin në të njëjtën ditë dhe kur ta shkelnin shtëpinë pas gjithë atyre viteve, do të shpresonin se një jetë e re i priste dhe se stuhia tahsmë kishte kaluar....

“U lirova në muajin nëntor, 15 nëntor të vitit 1982, me amnistinë e bërë. Kreva gjithsej 6 vite e 1 muaj. 8 muaj i fitova me punë, kam punuar shumë në Spaç. Kam punuar për atë se familja nuk kishte mundësi të më ndihmonte, ushqimi ishte i pamjaftueshëm dhe kur njeriu punonte, që punonte detyrimisht duhej të jepje të gjitha forcat, të gjitha ato mundësitë që kishe, dhe e kaloje normën mbi 100%, t’i bënin edhe ditë ulje në muaj, detyrimisht ishte një numër i vogël dhe të jepnin njëfarë vlere në lekë, e cila ishte qesharake ta mendoje, në qoftë se do të kishe punuar, ta bëje atë punë në jetën e lirë. Normat tona ishin 2-3 herë më të mëdha sesa të punëtorëve të lirë, se shikonim, kishte atje disa grupe punëtorësh që punonin. Një pjesë të parave ua dërgoja nënës dhe motrës, në mënyrë që të kishin mundësi për të ndihmuar edhe babanë, se atje ushqimi ishte shumë i dobët, në Ballsh, dhe siç thashë nuk kishin mundësinë ekonomike që t’i ndihmonin. Prandaj kisha fituar, siç ju thashë, këta muaj. Më fali 3 muaj amnistia”, rrëfen Nestor Topencarov.

“Kur u lirova, që vajta në Korçë, u lirua edhe babai në të njëjtën ditë. Ishte një gëzim i madh për ne të gjithë si familje. Por kur u mblodhëm në shtëpi, edhe u pamë njëri me tjetrin në sy, nuk u treguam hallet e vuajtjet që kishim kaluar, për të mos u shtuar brengat personave të dashur. Kështu që unë, mjaft gjëra i zbulova nëpër dosje për njerëzit e familjes, të gjithë d.m.th. atë që kishte kaluar babai ose mamaja ose atë që motra ishte munduar për periudhën kur Sigurimi e kishte vënë në shënjestër, që të më mbante mënjanë, duke e ditur që, në qoftë se do të implikohesha unë, do të ishte ashtu si herën e parë që u interesova edhe për të drejtën e babait, do të ishte fundi për mua”, vijon rrëfimi.

“Fillova punën në bujqësi, motra punë sezonale, por gjithmonë shikoja atë mënyrën e trajtimit nga ana e lagjes ose nga ana e zyrave të tjera shtetërore ku duhet të shkoje për një problem a për një jetër, mënyrën se si trajtoheshe.

Një pjesë e njerëzve na shikonin nga larg me një përshëndetje të lehtë kur u lirova, dikush tjetër kthente kokën në krahun tjetër, pasi të shikonte si armik, ose dikush tjetër d.m.th. që të afrohej dhe të përshëndeste, ngeleshe me atë dyshimin që si është puna, si u ndodhi kjo punë, se ne ju kemi njohur ndryshe”, shprehet Nestor Topencarov.

Pas daljes nga burgu, për 5 vite rresht,  familja topençarov do të vijonte jetën në këtë atmosferë:  herë mohuese, herë injoruese, e ndonherë edhe keqardhëse.  Derisa në vitin 1987 do të shquanin në horizont një rrezik të ri. Kosta edhe pse e kishte kryer dënimin e dhënë nga diktatura, edhe pse i tërhequr e i kujdeshëm, do të merrej befas nga Sigurimi i shteitt dhe do të izolohej për 3 dite rresht... urdhri ishte dhënë nga vetë Ministri i brendshëm hekuran Isai. Në familjen Topençarov ishte ngritur sërish alarmi...

“Në vitin 1987, pasi dihet që diktatori vdiq në 1985-n, për dikë është mendimi që situacioni u zbut. Por për familjen tonë, jo. Ka qenë një situacion jashtëzakonisht i egër. Në 1987-n na e marrin babanë përsëri 3 ditë, na e mbyllin në një nga dhomat e hotel Turizmit, që përdorte Sigurimi i Korçës, në një hetuesi të lirë ku punonjës të ndryshëm, duke filluar nga oficerët e drejtimit, të drejtorive të ndryshme të Ministrisë së Brendshme, nga kryetari i Degës dhe nënkryetarët, nga shefi i seksionit dhe nga operativët, e kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore atë njeri të sëmurë dhe, duke insistuar me çdo kusht që ai të pranonte që ishte agjent. Dhe jo vetëm kaq, por edhe të implikonte persona të tjerë. Ishte dhënë urdhri direkt nga ministri, që në atë kohë ka qenë Hekuran Isai, që në qoftë se babai do të pranonte do t’i hidheshin hekurat në vend aty, në qoftë se nuk do të pranonte të vazhdonte të ndiqej. Dhe pas kësaj, vetëm me marrjen e dokumenteve, unë mora vesh të gjithë atë ç’kishte ndodhur më pas”, tregon ai.

“Kur babanë na e morën përsëri në atë hetuesinë e lirë, që e mbyllën në hotelin e Turizmit, babai kishte një shëndet shumë delikat. Megjithatë ai i përballoi të gjitha ato shantazhet dhe të gjitha presionet dhe të gjithë sjelljen d.m.th. të atyre njerëzve, që për ato 3 ditë ushtruan mbi trupin e tij, jo vetëm në anën psikologjike por edhe fizike. Kur erdhi në shtëpi, që mamaja e zhveshi, që u shtri në krevat, trupi i tij ishte i mbushur gjithë njolla blu, të errëta, nga goditjet që i kishin bërë, nga të cëmbiturat që kishin, bile edhe prapa veshit kishte shenja gjaku. Atëherë u mblodhëm të tre, me mamanë e me motrën, edhe thamë: ç’do bëjmë? Se babai tha: këtë radhë ata e kanë vendosur, neve do të na eliminojnë. Edhe atë them në fund të librit: në qoftë se në 90-n nuk do të kishte ardhur fundi, që do të kishte rënë diktatura edhe këtu, që u bë ndryshimi në vendet e Lindjes, për familjen tonë ishte rezervuar një fund shumë tragjik”, rrëfen Nestor Topencarov.

Nestori tregon se kjo situatë i kishte nxitur që të kërkonin një zgjidhje në rrugë institucionale. Kishin vendosur të denonconin në prokurori rrëmbimin e të atit nga Sigurimi i Shtetit. Dhe këtë akt e ksihte ndërmarrë motra e nestorit Ivana.

“Dhe në mëngjes, në orën 7, sa hapeshin zyrat, shkon te prokurori. Edhe i thotë: këtu, këtu, këtu puna. I thotë ai: mos ki merak, do ta. – Unë kam ardhur te ju, - i thotë motra, - meqenëse jeni njeri i ligjit, mbroni të drejtat e personave, dhe unë kam ardhur të bëj denoncimin. Pas bisedës që bëri motra me prokurorin, i tha: shko e qetë në punë, se do ta shikoj unë këtë punë. Pas 3 orësh që ishte motra në punë, 3 orë a 4 orë, nuk e di, nga koha e drekës, e lajmërojnë, i thonë: Ivana do të dalësh te porta se të kërkojnë. Del aty, “Gazi” i Degës që e priste. Një ta marrë, bagazh kur i thonë, përpara kryetari i Degës, në zyrën e tij. Ai në këmbë, prapa tavolinës së gjatë që kishte, me duart prapa, duke u vërtitur nga njëra anë tek ana e tjetër e duke turfulluar. Iu drejtua duke i thënë: si, ti shkon te prokurori të na denoncosh neve? Po a e di kush jemi ne? Po a e kupton ti që ne këto gjëra nuk i bëjmë me kokën tonë, por janë urdhra?”, tregon Nestor Topencarov.

“Po vëllai, - i tha, - a di në lidhje me këtë gjë? – Jo, - tha, - babai foli vetëm me mua, as vëllait as mamasë nuk i ka thënë. – Mirë, - i thotë, - dëgjo ti, do të shkosh që nga kjo zyrë, por ama gojën do ta mbash mbyllur, absolutisht me njeri nuk do të, se ke përgjegjësi shumë të madhe, - i thotë. – Po, - i thotë motra, - patjetër në atë punë, por babanë d.m.th. në kuptimin e saj, është njeri i sëmurë, ai nuk është në gjendje që të përballojë këto situacione, këto gjëra të tilla, prandaj duhet ta lini të qetë.

Dërguan një mjek neurolog, doktor Gaqo Kanen. Unë përfitoj nga ky rast të falënderoj këtë njeri humanist, i cili kur erdhi në shtëpi që të vizitonte babanë, pa atë situacion që ishte, gjendjen e babait, pa mamanë shumë të tronditur, edhe i thotë, pasi e vizitoi babanë, i tha: zonjë, të rrish e qetë, mos ki merak. Dhe që në atë moment, Dega e brendshme nuk u mor më me babanë”, vijon Nestor Topencarov me rrëfimin.

Nestori thotë se e ka kuptuar plotësisht situatën e  motrës së tij Ivanës, pas insidentit me të atin në 1987, vetëm pasi mori dosjet e Sigurimit. Aty ai pa qartë se si ishte përballur me dinjitet e motra në zyrat e degës së brendshme, si ju ksihte bërë ballë presioneve për ta bërë bashkëpunëtore të sigurimit të shtetit dhe se kishte dalë në fund me dinjitet nga kjo përballje e vështirë e plot presione.

"E lanë të qetë babanë, por ju vunë motrës... Iu vunë Ivanës dhe këto dokumente i pashë vetëm në dosjen e saj se unë nuk i dija, siç ju thashë, për muaj të tërë, pothuajse një vit, atë, i kanë bërë presione nëpër këto bazat ilegale që ata quanin, që e merrnin nga puna, me “Gaz” e çonin, presion për njërin, presion për tjetrin. Në fund, kishin programuar d.m.th. që, d.m.th. kishin arritur në konkluzionin që ky person është një person për ne shumë i përgatitur në aspektin që është person serioz, nga ana morale është e ndershme, ka moral të lartë, nuk është llafazane, është inteligjente edhe është në nivelin arsimor të personave që ata donin të arrestohen.

Jo vetëm kaq, por ata kishin përgatitur edhe atë shkresën zyrtare, ku motra do të zgjidhte atë pseudonimin që do të merrte, do të zgjidhte parrullën dhe kundërparrullën, vendet e takimit edhe oraret, të cilat të gjitha do të ishin të përcaktuara nga ana e saj dhe ajo nuk do të quhej si një informatore e thjeshtë, por tamam si një agjente.

Por për familjen tonë spiuni ishte spiun. Ti mund t’i vije lloje të ndryshme, mund t’i vije agjent, mund ta vije informator, çfarëdo që t’i vije, por nuk ishte në atë edukatën edhe në karakterin e familjes sonë. Dhe në momentin që ata prisnin që e thirrën për firmën e fundit, ku ajo duhej të bënte edhe një deklaratë, që duhej të shkruante që unë, në mënyrë vullnetare e pranoj këtë detyrë dhe në rast se nuk e mbaj këtë sekret do të kem, do të paguaj konsekuencat dhe konspiracionet, motra ime u dha një dush, kur i thonë, jo me ujë të ftohtë, por me ujë të akullt. Jo vetëm që nuk pranoi këtë bashkëpunim, por u tha që unë nuk dua që të më takoni më juve punonjës të Sigurimit. Ai operativ që më pas shkroi këtë relacion, e shkruan në një mënyrë si me habi d.m.th., që si është e mundur një person, se ata kishin pasur raste që u bënin propozime të këtij lloji për t’i bërë bashkëpunëtorë, kuptohet gjithmonë personave të shtresës së persekutuar, se ata mund t’i shantazhonin ose ata mund të kishin nevojë për një mbështetje ose mund të kishin nevojë për një përfitim të një diçkaje, dhe u ndeshën me një rast shumë të rrallë, si rasti i motrës sime që ua përplasi në fytyrë këtë gjë. Dhe pa mbaruar mirë kjo që motra u largua, gjithmonë që e vunë nën atë betimin që, dakord që nuk pranonte, por që nuk duhej të dilte nga ajo zyrë absolutisht asnjë nga këto biseda që u bënë. Dhe ka qenë vjeshta e 88-s, kur ata përpiluan planin e ri të ndjekjes së familjes sonë.

....Deri në marrjen e dosjeve, ajo që dija ishte thjesht arrestimi, hetuesia dhe burgu, por nuk dija anën tjetër, ndoshta edhe më të keqen, atë të operativëve, të cilët të paskrupuj, me provokime, në gjysmë errësirë, të përgatisnin, kur i thonë, jetën për në ferr. Dhe veç kësaj, aty mora vesh që edhe mamaja, edhe motra, kishin qenë me dosje ndjekjeje. Bile me dosje ndjekje jo të thjeshtë, por në 2A. mamaja ka qenë në prag arresti gjatë periudhës ’76-’77. Bile në një moment në dokumente zbulova që ishin në dilemë punonjësit e Sigurimit se kë duhej të arrestonin më parë, mua apo mamanë. Dhe shkruajnë që duhet të arrestojmë Nestorin se është më i rrezikshëm. Kurse motra ka qenë gjatë vitit 82-83, edhe ajo në prag të arrestimit. Por gjëja më e vështirë që ka kaluar ka qenë viti 87-88”, tregon Nestor Topencarov.

Edhe pse diktatura ishte në grahmat e fundit, mbi familjen Topençarov Sigurimi i shteitt  nuk do ti largonte prozhektorët. Përkundrazi.

Nestori ka  parë dhe analizuar me detaje gjithçka nga ato dosje dhe e di mirë se deri në çshkallë kishte shkuar përndjekja e familjes së tij për më shuëm se 40 vjet.  Në fund të bisedës ai dëshiron të ndajë dy momente që ka zbuluar në dosjet e sigurimit dhe që e kanë bërë të ndihet keq.

“Gjatë leximit të dosjeve, dua të ndalem në dy momente shumë të rëndësishme. Një nga këto është që në vitin 83, hetuesit tim dhe të babait, Irakli Koçollarit, i kërkojnë një memorie në lidhje me hetuesinë që i ka bërë babait. Dhe ai ka futur nga më imagjinatat dhe nga më marrëzitë që mund të ekzistojnë, në këtë shkrim.

Ai arrin deri atje sa të thotë që babai im ka qenë aq i rëndësishëm, sa ka qenë person i dërguar direkt nga Aleksandër Rankoviçi, që ka qenë ministër i Brendshëm dhe që ka qenë armiku nr. 2,  pas Titos, për qeverinë tonë. Në ato deponime që ai ka bërë atje, duke bërë të tëra shpifje edhe gënjeshtra se ne kemi dosjen e Hetuesisë gjatë periudhës që ka bërë me babanë, ai me ato të dhëna që jep, nuk e di e bën llogarinë apo nuk e bën, se në çfarë fatkeqësie të madhe do të kishte përfunduar, vetëm nga ato shpifjet dhe gënjeshtrat e tij. Por me këto ai ishte mësuar dhe, edhe për këtë ka qenë praktika e punës së tij.

Në fund të tetorit 82, kur pritej amnistia, në dosjen e babait është një letër që Aleks Luarasi, në atë kohë ka qenë pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, por që atje paraqitet si pranë Këshillit të Ministrave, se ka qenë në atë grupin e atij të Ramiz Alisë, i shkruan një letër Ministrisë së Brendshme, ku me këtë letër ai ankohet për Degën e Punëve të Brendshme, e cila megjithëse ka pasur denoncimin nga ana e motrës së tij, Krisanthit, e cila banonte ngjitur me shtëpinë tonë, në lidhje me një veturë të bardhë të ambasadave, që paska ardhur në mes të natës, kanë hyrë në shtëpinë tonë, kanë ndenjur ata personat atje, dhe më pas kanë ikur, dhe Dega e Punëve të Brendshme nuk ka marrë asnjë masë. Gjithashtu aludon dhe për nënën dhe motrën time, që thonë këto dy gra në shtëpi, për persona të ndryshëm që hyjnë e dalin, aludon në lidhje me moralin. Atëherë them: ky person, Aleks Luarasi, që jeton shumë shumë kilometra larg nga ne, ne në korçë ai në Tiranë, por si duket fizikisht është larg, por nga hallet dhe problemet tona nuk është, nuk i mjaftojnë të gjitha ato që ne pësuam nga diktatura, që unë në atë kohë dhe babai ishim në burg akoma, dhe mamaja me motrën po përballonin një jetë të vështirë, por shkruan pikërisht këtë letër në këtë moment, që ishte hapur dhe lajmi, që do të bëhej amnistia, se dy javë më parë u bë amnistia. Por sigurisht ai kërkonte që me këtë të mos lirohesha unë dhe babai. Ky ishte qëllimi i tij. Dhe them: ky njeri që nuk ishte as bashkëpunëtor, as punonjës i Ministrisë së Brendshme, as nuk jetonte aty që të ishte afër me ne në atë, nuk kishte lidhje, as nuk ishte pyetur edhe as nuk hynte në atë mes që të ishte shantazhuar nga Sigurimi, merr d.m.th. këtë iniciativë për të bërë një të keqe akoma më të madhe se atë që diktatura na kishte bërë. Dhe shkruaj në librin “Historia e familjes”, që nuk shikonte ato hallet e tij, por fuste hundët në problemet që nuk i takonin. Dhe më pas, për t’i njohur për publikun, se kush është Aleks Luarasi, ky ka qenë pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, siç e thashë më parë. Në vitin 1991, në qeverinë e parë që krijohet, të Fatos Nanos, bëhet sekretar i Këshillit të Ministrave. në vitin 1992, nga qeveria demokratike, e Partisë Demokrarike të Berishës, dërgohet në Venecia, në Këshillin e Venecias, që bashkëpunonte me Evropën dhe ka qëndruar atje deri në 98-n. Kthehet në vitin 1999 dhe i hyn biznesit, krijon një librari-shtypshkronjë dhe më pas hap Universitetin “Luarasi”. Në vitin 2019 ky individ merr vlerësimin më të lartë nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Ja pra, - them, - kush ishte Aleks Luarasi, ishte një nga ata që dekontribuan për ardhjen e demokracisë së vërtetë”, tregon Nestor Topencarov.

Nestori thotë se kjo dramë e jetës së tyre isht ee gjatë dhe sfilitëse por ata morën forcë nga njëri tjetri dhe e përballuan. Ai tregon se ëndrra e të atit do të përmbushej vetëm pas rënies së diktaturës. Më në fund familja e tij mundi të aplikojë për tu larguar nga Shqipëria dhe pas më shuëm se 40 vitesh babai dhe nëna e tij e kaluan sërish kufirin. Të moshuar, të sfilitur nga përndjekja e mbi 4 dekadave Kosta dhe marika, në moshë të thyer vendosën ti kalojnë vite e fundit të jetës në vendlindjen e Kostës në Maqedoni. Ndërsa Nestori dhe Ivana i ruajtën lidhjet e tyre me Shqipërinë, pavarësisht lëndimeve që morën dhe shpesh e pyesin veten nëse historia nuk do të kishte rrjedhën që pati, a do të kishte një fund tjetër historia e tyre?

“Në qoftë se nuk do të kishte rënë diktatura, plani për ata ishte që ne si familje, donin që të mos ekzistonim më, dhe, ose si familje d.m.th., në njëfarë mënyre të zhdukeshim. Ndërsa them për të parën nuk ia arritën, për të dytën, për atë ne jetuam dhe po jetojmë akoma edhe shumë vite të tjera, por ama pas nesh, pas meje dhe pas motrës sime, nuk do të ketë më nga familja jonë, pasi motra nuk u martua për konsekuencat që pësoi në jetë, unë nuk pata fëmijë dhe prandaj e pata shumë këtë dëshirë që kjo histori t’u kalojë brezave të ardhshëm, librat që shkrova të ketë mundësi publiku shqiptar t’i lexojë dhe të njihet me të dhe kur të mos jem unë në këtë botë më, besoj se ky libër edhe për dikë më vonë, për ndonjë studiues që mund të ketë interes do të studiohet dhe do të analizohet në aspektin që, edhe me syrin që do ta shikojë ai”, tregon Nestor Topencarov.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?