Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu është nisur sot nga Tel Aviv drejt Uashingtonit, për të diskutuar “fitoren mbi Hamasin”, Iranin dhe zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet arabe me presidentin Donald Trump.
Ky do të jetë takimi i parë i liderit amerikan me një zyrtar të huaj të shtetit që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
“Fakti që ky do të jetë takimi i parë i Presidentit Trump me një lider të huaj që nga inaugurimi i tij është i qartë”, u tha Netanyahu gazetarëve përpara se të hipte në avion.
Më tej ai e cilësoi takimin e tyre një dëshmi për fuqinë e aleancës izraelito-amerikane.
Kryeministri izraelit do të kërkojë të forcojë lidhjet me Uashingtonin pas një marrëdhënieje jo dhe aq të mirë me ish-presidentin Joe Biden për luftën në Gaza, raporton Washington Post.
“Vendimet që morëm tashmë kanë ndryshuar fytyrën e Lindjes së Mesme. Vendimet tona dhe guximi i ushtarëve tanë kanë rivizatuar hartën. Por unë besoj se duke punuar ngushtë me Presidentin Trump, ne mund ta rishikojmë atë edhe më tej dhe për mirë”, shtoi ai.
Zyra e Netanyahut tha në një deklaratë se negociatat për fazën e dytë të armëpushimit në Gazë do të fillojnë të hënën, kur ai të takohet me Trump dhe të dërguarin e SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Netanyahu do të përcjellë qëndrimin e Izraelit për armëpushimin, të cilin Witkoff do t'ua çojë ndërmjetësuesve egjiptianë dhe Katar-it, thuhet në deklaratën e së shtunës mbrëma.
Katari ka pranuar se faza e dytë e armëpushimit, do të jetë më e vështirë për t'u negociuar se e para.