Kultura

'Netët e Bejkës së Bardhë' kthehen në Pilur, festivali i polifonisë gjallëron fshatin turistik

7 Qershor 2021, 18:43| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 18:53

  • Share

Muzika dhe vallet popullore gjallëruan për dy ditë me radhë fshatin Pilur të Himarës. “Netët e Bejkës së Bardhë”, ngjitën në skenë grupe polifonike nga Vlora, Gjirokastra, Tepelena, Mallakastra, Gramshi dhe Himara, duke e kthyer fshatin turistik në kryeqendrën e muzikës labe.

“Duhet që kënga polifonike të kaloje në brezat e tjerë. Kënga polifonike për ne është ushqimi i shpirtit tonë, jeta e përditshme, gëzimi e hareja jonë”, tha këngëtarja polifonike, Katina Beleri. 

“Kjo është e ardhmja jonë. Kënga labe vazhdon dhe do të vazhdojë”, u shpreh këngëtari polifonik, Golik Jaupi.

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro thotë se festivali synon të promovojë traditat më të mira të zonës në funksion të turizmit. Ndërsa shpreson që të kjo traditë të trashëgohet ndër breza.

“Me këtë festival ne përpiqemi ti japim jehonë dhe zonave të tjera, përveç plazhit, por dhe thellësisë dhe traditës. Turistëve të ju themi që përveç detit të shfrytëzojnë dhe fshatrat tonë piktoreskë. Në çdo fshat do mundohemi të kemi aktivitete të kësaj natyre”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro.

Çmimi i parë që mban emrin e iniciatorit të këtij aktiviteti dhe njeriut që e ktheu Pilurin në një pikë të rëndësishme të identitetit të polifonisë shqiptare, poetit e rapsodin, "Lefter Çipa", ju dha grupit të Pilurit. Çmimin e dytë " Kujtim Mici", e fitoi grupi i Bënçës, Tepelenë. Kurse çmimin e tretë "Koço Çakalli", e mori grupi "Argjiro" i Gjirokastrës.

Iso Polifonia shqiptare është shpallur nga UNESCO “Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të Njerëzimit” dhe mbrohet  prej saj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?