Sociale

Netët e poezisë në Korçë, poetë nga gjithë bota bëhen bashkë në ‘Parisin e vogël’

25 Maj, 16:47| Përditesimi: 25 Maj, 16:54

  • Share

Korça është kthyer sërish këtë fundjavë në kryeqendrën e poezisë bashkëkohore, me nisjen e edicionit të 29-të të Netëve Korçare të Poezisë, një festival ndërkombëtar që mbledh autorë dhe poetë nga vende të ndryshme të botës.

Pierre Ech-Ardour ka mbërritur nga Franca për netët e poezisë në “Parisin i vogël” siç është pagëzuar tashmë Korça dhe për të është pjesëmarrja e parë në një festival të këtij formati në Shqipëri.

“Kjo është hera e parë që unë vij në Shqipëri, e sigurisht në Korçë. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe falënderues që më kanë ftuar në këtë aktivitet. E vizitova pak qytetin në ecje këtë pasdite dhe më bëri përshtypje që kishte shumë të rinj, por edhe shumë të moshuar, si një miksim. Më e rëndësishme për mua është paqja, dhe këtë mesazh dua të jap sot', tha Pierre Ech-Ardour.

Emocion shprehin edhe poetët e njohur nga vendi ynë.

'Është hera e parë që marr pjesë, me një poezi të veçantë, mesazhi është i lidhur me temën e këtij eventi, cdo njeri që mbart dashuri brenda vetes është një rreze drite për të tjerët', tha poetja Valbona Lola. 

Interpretimi poetik në disa pika të ndryshme të qytetit, panele letrare dhe një akt simbolik, mbjellja e një peme në Parkun e Poetëve, në nderim të trashëgimisë së fjalës së shkruar janë disa nga aktivitetet që shoqërojnë këtë edicion të poezisë.

'Janë dy ditë të mbushura me aktivitete, pas prezantimit të poetëve dhe prezantimit të poezive përshëndetesë, do të bëhet mbjellja e pemës simbolike të poezisë, 4 panele letrare te biblioteka publike, vizitat kulturore dhe recitimi i poezive në muzetë e qytetit dhe do të kulmojë me orën letrare të poezisë në mbrëmje”, tha Jorida Tullkuçi, organizatore.

Ndërsa në mbrëmjen e dytë, që mbyll festivalin, do të ndahen edhe çmimet vlerësuese për poezinë më të spikatur dhe poetët më të mirë të këtij edicioni.

Netët Korçare të Poezisë janë tashmë një kompeticion i konsoliduar ndërkombëtar, që e kthen qytetin e Korçës në një hapësirë frymëzimi dhe reflektimi poetik, duke promovuar kulturën, dialogun dhe artin përmes fjalës

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?